U mbajt mbrëmja letrare-artistike për Gani Mehmetajn, fitues i çmimit “Kadare” 2021

30 Qershor, 2021 - 6:27 pm

Të martën, u mbajt në Prishtinë, në hotel Sirius mbrëmje letrare-artistike që iu kushtua krijimtarisë e veprimtarisë së  shkrimtarit, dramaturgut, skenaristit  e publicistit Gani Mehmetaj.

Me interpretimin emocionues të aktores Sheqerie Buçaj nga monodrama e autorit “Kohë cubash, miku ime”, u çel mbrëmja. Ajo i dha emocione të veçanta publikut.

Në vazhdim gazetari dhe ish spikeri i njohur i Radiotelevizionit të Kosovës, Shaban Arifaj, shkrimtar, lexoi recensionin për romanin “Zogjtë e qyqes”, që mori çmimin Kadare.

“Krijimtaria letrare e mikut dhe shokut tim Gani Mehmetajt si dhe shtytësit kryesor për krijimtarinë time letrare, ngërthen në vete tre segmente të një krijuesi të shquar: rrëfimin, drejtpërdrejtshmërinë, stilistikën. Rrëfimi i Ganiut sa të magjeps me rrjedhshmërinë, aq të futë në imagjinatë të rrëfimit, dhe duke lexuar, të shpërfaq një pamje të gjallë dhe të pashkëputshme. Së fundmi me romanin “Zogjtë e Qyqes”, Ganiu ka arritur që në mënyrë të drejtpërdrejtë, të paraqes një periudhë historike të Kosovës, në një mënyrë të veçantë.

 Mehmetaj ka stil të fuqishëm rrëfimi, dhe duke qenë redaktor i disa prej veprave të tij, e kam cilësuar si trashëgimtar të stilit kadareanë të shkrimit prozaik”, shkruan ndër të tjerat Arifaj.

Arbërie Krasniqi-Kondirolli këndoi dy këngë “Moj e bukura More” dhe “Shpirti im i këndon Perëndisë”, interpretime që e pasuruan mbrëmjen.  

  Në vazhdim poetja Naime Beqiraj me emocione artistike deklamoi fragmentin nga romani “Zhvarrimi” që u prit mirë nga artdashësit. 

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kishës katolike në fjalën e rastit u përqendrua në veprimtarinë dhe krijimtarinë e Mehmetajt.

Ndërkaq, don Lush Gjergji vuri në pah disa momente kyçe të krijimtarisë, duke e shquar mprehtësinë dhe guximin e autorit.  

Në mungesë të dr. Blerim Latifit, anëtar jurie i çmimit “Kadare”, Saranda  Salihu lexoi shkrimin “Mbi romanin fitues “Zogjtë e qyqes” të shkrimtarit Gani Mehmetaj”

“Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve. Ai përpiqet të bëhet objektiv, megjithëse ndonjëherë druan se është subjektiv, apo sikurse thotë vet, mos po mendoj si serb.

Ndërthurjet dhe konfliktet pastaj e zgjerojnë narracionin, e pasurojnë intrigën, e bëjnë dramën me dinamike, e ngrenë tensionin, i bëjnë të larmishme situatat. Ngjyrimet lokale janë të dukshme, koha është korniza që ia shton sharmin, e pasuron strukturën e brendshme të romanit. Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme: shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, komuniteti egjiptian. Ka edhe familje hebraike, ashtu sikurse është një familje e çuditshme hungareze, me vajzën e bukur, në të cilën janë dashuruar të gjithë djemtë e lagjes. Në këtë mozaik është intrigues bjellogardisti i ardhur pas Luftës së Parë nga tundrat e Siberisë me laboratorin eksperimental”, shkruan ndër të tjerar profesori i filozofisë Dr Blerim Latifi.

Ndërkaq, i riu Mevlyd Rrahimaj këndoi me mjeshtri “Vajta kalova” dhe “O, moj e bukura Arbëri”.

Dr. Femi Cakolli, pastor dhe studiues i letërsisë, u përqendrua në disa segmente të shkrimtarit, meqë është ndër të pakët që e ka përcjell krijimtarinë  e Gani Mehmetajt nga fillimi me shkrime recensionale e studimore.  Dr. Cakolli u përqendrua në autorin apologjet, misionar dhe bartës i misionarit të kombëtares para presionit të madfh të shkombëtarizimit.  Gani Mehmetaj mori çmimin “Kadare” 2021 për dorëshkrimin e romanit “Zogjtë e qyqes”, nga Universiteti Evropian i Tiranës dhe Fondacioni “Gramoz Pashko”, ndërsa e botoi UETPRES, Tiranë.  Është autor i 26 veprave letrare, kinematografike, publicistike dhe skenarëve të filmit. 

Gani Mehmetajt, që iu kushtua kjo mbrëmje letrare-artistike të rinjtë e “Shtëpisë së Shpresës” i dhanë një mirënjohje të veçantë “Pena e shpresës”.    

Konferencierin e mbrëmjes Artur Krasniqin e karakterizoi elokuenca, shkathtësia dhe mjeshtëria si rrallë ndonjë udhëheqës të mbrëmjeve artistike. Ishte model edhe për televizionet tona./ KultPlus.com

Të ngjajshme