U mbajt Parada e Krenarisë, LGBTI: Pas gjithë këtyre sfidave ne qëndrojmë në këmbë dhe krenar, për këtë na rreh zemra

10 Tetor, 2019 - 2:54 pm

Xhemile Hysenaj

‘Dashuria është ndjenjë, jo orientim”, ishte kjo njëra ndër thëniet që spikatej mbi kokat e aktivistëve të LGBTI-së, që sot po marshonin për dashurinë e lirinë, shkruan KultPlus.

”Për kon t’rreh zemra”, ishte motoja kryesore e kësaj paradë, që këtë vit organizohet për të tretën herë në Kosovë.

Marshi filloi tek sheshi ”Skënderbeu”, ku aty të mbledhur ishin personat e këtij komuniteti dhe jo vetëm. Artistë, aktivistë të komunitetit dhe qytetarë të thjeshtë, me pjesëmarrjen e tyre në paradë shfaqnin përkrahjen drejt këtij komuniteti. Të gjithë të pranishmit me padurim prisnin të fillonin marshin e tyre, që do të vazhdonte deri te sheshi ”Zahir Pajziti”, ku aty edhe zyrtarisht do të shpallnin të hapur paradën.

Marshonin me këngë, vallëzim, brohoritje e fishekzjarre. Shfaqnin dashuri dhe emocione të mbështjella me një energji pozitive të pashoq.

Lend Mustafa, njëri ndër përfaqësuesit e këtij komuniteti, për KultPlus u shpreh se ndjehej shumë krenar që për të tretën herë në Kosovë po mbahet Parada e Krenarisë.

 “Jemi shumë krenarë me atë që kemi arritur deri sot, për arsye se këtë herë do të ketë shumë më shumë njerëz, kemi pasur përkrahje më të madhe dhe njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen rreth kësaj çështjeje duke bërë kështu që edhe komuniteti LGBTI të ndihet më mirë. Ky edhe ka qenë qëllimi ynë, të fuqizohet komuniteti”, shtoi ai.

Ndërkaq, e pranishme ishte edhe Uta Ibrahimi, e cila deklaroi se merr pjesë në Paradën e Krenarisë çdoherë kur është brenda vendit. ”Mendoj që të drejtat e komunitetit LGBTI, janë të drejta elementare të njerëzve. Sot për dallim prej dy paradave të viteve të kaluara, ka më shumë njerëz, është një energji e mirë, vërehet që edhe njerëzit kanë filluar të ndihen më të lirë me atë që ndjenjë dhe atë që dëshirojnë të bëjnë”, deklaroi Uta për KultPlus.

Artistja Fitore Berisha, krijimtaria e së cilës zë vend  në pikturë, teatër e vallëzim, u shpreh jashtëzakonisht e lumtur që ishte pjesë e paradës.

”Jam shumë e lumtur që sot jam këtu, unë e përkrahi këtë komunitet dhe si artiste jam pjesë e tij. Zemra mal më është bërë sot, përderisa po e shoh që është organizuar kaq mirë, njerëzit janë të lumtur dhe poashtu një harmoni shumë e mirë po mbizotëron”, deklaroi ajo për KultPlus.

Ashtu si edhe paradat e viteve të kaluara, i pranishëm ishte edhe një burrë në moshë të shtyrë që tërhiqte vëmendjen e të gjithëve, ai ishte pjesë e paradës nga fillimi i marshit e deri në fund të tij.

Me muzikë e brohoritje, marshi arriti te sheshi ”Zahir Pajaziti”, ku Lend Mustafa me një fjalim emocional që kishte qëllim motivues, përçonte emocione të mëdha tek komuniteti.

”Sot është një ditë, kur ne pas shumë kohësh që jemi mësuar të fshihemi, po dalim me shumë krenari për herën e tretë. Ka qenë një vit me shumë sfida për ne, por ia kemi dal. Sot jemi mbledhur edhe një herë për të treguar që pas gjithë këtyre sfidave, ne qëndrojmë në këmbë dhe krenar, sepse, për këtë na rreh zemra.”

”Na rreh zemra për juve që iu dëbuan familjet e juaja, për juve që çdo ditë përballeni me presion në shtëpitë e juaja, aty ku do të duhej të jeni më të sigurt. Na rreh zemra për transgjinorët që deri vonë ju mohua edhe identiteti. Na rreh zemra për gratë lezbike, biseksuale e transgjinore që për çdo ditë përballen me sistemin patriarkal në këtë vend. Na rreh zemra për personat LGBT që janë romë, ashkali e egjiptian por na jemi mbrapa tyre dhe bashkë kemi me ia dalë. Na rreh zemra për të gjithë juve që të paktën njëherë në jetë keni menduar që do të ishte më mirë të mos iu rrehte zemra. Sot jemi këtu të tregojmë se ne jemi bashkë dhe krenar për njëri tjetrin. Kemi me pasë dashni, kemi me qenë të lirë e zemra do të na rreh për njëri tjetrin.”

Me këtë fjalim, zyrtarisht u hap Parada e sivjetme e Krenarisë. Duke i lënë pjesëtarët e këtij komuniteti të vazhdonin me këngë, vallëzim e shumë dashuri. /KultPlus.com

Të ngjajshme