Udhëzimet e reja për vitin e ri shkollor

11 Korrik, 2021 - 10:28 pm

Agjencia amerikane ka rekomanduar që nxënësit të rrinë të paktën 2 metra larg njëri-tjetrit. Por, e ka bërë të qartë që shkollat duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme për ta mundësuar distancën sociale, përcjell KultPlus.

Udhëzimet për distancë, maska dhe vaksinim nga Agjencia e çojnë vëmendjen te viti i ri shkollor.

Pas një muaji do të nisë viti shkollor në shumë shkolla dhe qendrat për parandalim dhe kontrollim të sëmundjeve të premten i kanë publikuar udhëzimet e reja për ta parandaluar përhapjen e COVID-19 në shkolla.

Udhëzimet listojnë disa strategji që shkollat duhet t’i zbatojnë për ta ruajtur sigurinë në shkolla, përfshirë bartjen e maskave, testet javore dhe distancën sociale. Mirëpo, Agjencia ka theksuar se shkollat duhet të rihapen medoemos, edhe nëse nuk i plotësojnë të gjitha kriteret.

Më poshtë janë disa prej pyetjeve më të shpeshta për udhëzimet e reja.

A mund t’i ndjekë fëmija im mësimet me orar të plotë?

Pothuajse po. Rekomandimet e reja sqarojnë se rihapja e shkollave është një përparësi dhe që shkollat ​​nuk duhet të mbesin të mbyllura vetëm sepse nuk mund t’i zbatojnë të gjitha masat e rekomanduara.

Shumë familje kanë pasur ditë të vështira me mësimin online. Sipas studimeve, pandemia ka thelluar pabarazitë në arsim, pasi nxënësit afrikano-amerikanë kanë mbetur më prapa krahasuar me ata të racës së bardhë.

 A do të duhet të bartin maska?

Varet. Sipas udhëzimeve, rekomandohet që fëmijët mbi 2 vjeç që nuk janë të vaksinuar duhet të bartin maska në ambiente të mbyllura, por thekson se nxënësit e vaksinuar nuk kanë nevojë të bartin maska në klasë.

Si t’ia bëjmë me distancën sociale?

Agjencia ka rekomanduar që nxënësit të rrinë të paktën 2 metra larg nga njëri-tjetrit. Por, e ka bërë të qartë që shkollat duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme për ta mundësuar distancën sociale. Po qe se u mungon, duhet t’i zbatojnë masa shtesë, si maskat dhe ventilimi. Distanca duhet të zbatohet edhe me stafin dhe mësuesit e pavaksinuar.

A do të mund të vaksinohen edhe fëmijët?

Aktualisht, vetëm fëmijët mbi 12 vjeç kanë të drejtë vaksine, gjë që ndikon që një pjesë e madhe e popullsisë të jetë e pambrojtur.

“Rregulli për vaksinë është gjithmonë betejë politike”, ka thënë Dorit Reiss, profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë, e cila ka thënë se shtetet duhet të bëjnë çmos derisa vaksinat të jenë në dispozicion për të gjithë nxënësit pa dallim moshe. Por, Shtetet e Bashkuara kanë histori të gjatë të kërkesave që nxënësit të vaksinohen për sëmundje të caktuara – nga poliomieliti deri te fruthi – dhe ekspertët besojnë se COVID-19 ka të ngjarë t’i bashkohet kësaj liste dikur.

Mirëpo, është e mundur që shkollat ​​të mund të pyesin për statusin e nxënësve më të mëdhenj në moshë që kanë të drejtë për ta marrë vaksinën. Për shembull, shkollat ​​publike të Chicagos kanë thënë se planifikojnë t’u kërkojnë familjeve t’i paraqesin informatat për vaksinën kundër COVID-19.

Sa për mësuesit, punëdhënësit zakonisht kanë të drejtë të pyesin për statusin e imunizimit dhe madje kërkojnë vaksinim për punonjësit, kanë thënë ekspertët, megjithëse kjo gjë nëpër shkolla mund të ndërlikohet nga sindikatat e mësuesve.

Sipas udhëzimeve, shkollat ​​mund të ofrojnë “përgjegjësi të modifikuara të punës” për mësuesit ose anëtarët e stafit që nuk janë vaksinuar plotësisht dhe që janë në rrezik më të lartë për COVID-19.

Kur mund të vaksinohen nxënësit e shkollave fillore?

Ndoshta në vjeshtë. Kompania “Pfizer” ka thënë se planifikon ta miratojë autorizimin emergjent për vaksinën e saj për fëmijët e moshës nga 5 deri 11 vjeç.

“Moderna” ka thënë se rezultatet nga studimi klinik me fëmijë pritet të dalin nga fundi i vitit. Kompania muajin e kaluar e ka miratuar autorizimin për përdorim të vaksinës së saj te 12 deri 17-vjeçarët.

Çfarë masash të tjera rekomandon Agjencia?

Agjencia rekomandon atë që e quan qasje “të shtresuar”, duke sugjeruar që shkollat ​​të kombinojnë strategji të shumta zbutëse për ta zvogëluar rrezikun. (Ky gjithashtu është quajtur “modeli zviceran i djathit”.) Përveç maskave, distancës dhe vaksinimit, shkollat ​​mund ta zbatojnë testimin e rregullt për koronavirus. Nxënësit dhe anëtarët e stafit që janë vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë të testohen ose të karantinohen, nëse kanë qenë në kontakt me dikë me COVID-19, vetëm nëse kanë simptoma. Kështu kanë bërë të ditur udhëzimet e reja. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme