Ukrainasit çojnë rusët në Hagë, nis konferenca për krimet e luftës

14 Korrik, 2022 - 1:26 pm

Prokurorja e lartë e Ukrainës dhe zyrtarë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Bashkimi Europian do të  takohen sot në Hagë për të diskutuar mbi hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë, shkruan CNN.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës Iryna Venediktova udhëtoi në qytetin holandez për të koordinuar ndarjen e provave, strategjinë e ndjekjes penale dhe kuadrin ligjor për sjelljen e kriminelëve të luftës para drejtësisë.

“Bota është pranë Ukrainës për të gjetur prova në mënyrë që Rusia të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë për mizoritë që forcat e saj kanë kryer në tokën tonë”, shkroi Venediktova në Twitter nga Haga.

Në një deklaratë përpara nisjes së konferencës, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet tha: “Sistemi kombëtar i drejtësisë i Ukrainës ka ndërmarrë tashmë hapa të rëndësishëm hetimi dhe gjykimi, të cilët ne po i monitorojmë.

Duke pasur parasysh gjerësinë e sfidave me të cilat po përballet, është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë të mbështesë rritjen e kapaciteteve për hetimet e Ukrainës për krimet e supozuara të luftës të kryera në territorin e saj, pavarësisht nga rrethanat.”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba pritet të japin deklaratat gjatë ditës së sotme. Venediktova tha se Ukraina ka identifikuar më shumë se 600 të dyshuar rusë për krime lufte dhe ka filluar ndjekjen penale rreth 80 prej tyre.

Dy ushtarë rusë tashmë janë dënuar sipas ligjit penal të Ukrainës. Rusia vazhdon të mohojë se trupat janë përfshirë në krime lufte në atë që ajo e quan një “operacion ushtarak special” në Ukrainë. /abcnews.al / KultPlus.com

Të ngjajshme