‘Umberto Eco, 1932-2016’, hapet ekspozita për filozofin dhe shkrimtarin italian

13 Janar, 2022 - 12:53 pm

“Umberto Eco, 1932-2016” titullohet ekspozita e çelur në kuadër të 90-vjetorit të lindjes së tij nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.

Kjo ekspozitë paraqet kontributin e tij si erudit, filozof, estetist, ku spikasin tituj: “Si bëhet një punim diplome”, “Historia e bukurisë”, “Të thuash gati të njëjtën gjë”, “Në kërkim të gjuhës së përkryer në kulturën evropiane”, “Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë” etj.; romani i mirënjohur “Emri i trëndafilit” (i botuar 3 herë në Shqipëri), “Varreza e Pragës”, “Numri zero” etj.

Shkrimet e Umberto Eco-s janë përkthyer në faqet e shtypit shqiptar, në organe si: “Rilindja”, “Nacional”, “Revista letrare”, “Mehr Licht!”, “Përpjekja”, “Aleph” etj. Bien në sy artikujt si: “Nuk janë vetëm hajdutë dhe prostituta. Një propozim për shqiptarët “e tjerë””, “Si të mos përdorësh telefonin celular”, “Funksioni i letërsisë të edukojë fatin dhe vdekjen”, si dhe intervista e tij me titull “Filozofin nuk duhet ta frikë vdekja”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të Bibliotekës Kombëtare./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme