Uniteti kulturor midis Arbërisë dhe Sllovenisë përmes ekspozitës “Monumenta Albanica Justinopolitana”

11 Mars, 2022 - 12:10 pm

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me ambasadën e Sllovenisë në Tiranë çelën dje ekspozitën me titull “Monumenta Albanica Justinopolitana” me kurator studiuesin Peter Štoka.

Kjo ekspozitë albanologjike përmban fakte dhe vepra e spikatura në lidhje me territorin e Koper të Istria, që ndodhet në Republikën e sotme të Sllovenisë dhe u kushtohet gjurmëve kulturore dhe pranisë së arbërve në qytetin e Koperit, të themeluar me emrin Justinapolis, për nder të perandorit Justinian.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, u shpreh se “kjo afërsi e unitetit kulturor midis Arbërisë dhe Sllovenisë u vërejt sidomos gjatë konfliktit traumatik me osmanët dhe me krijimin e diasporave arbëreshe ne bregdetin e Adriatikut lindor, ku në Koper u vendosën familje fisnike si ajo e Dukagjinëve apo familjet Bruti dhe Bruni ku arritën të qeverisnin në këtë qytet. Këto raste të hershme mbartin një vlerë edhe më të rëndësishme sot në kremtimin e 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Sllovenisë”.

Studiuesi dhe njëkohësisht kuratori i ekspozitës Peter Štoka vuri në dukje rrënjët dhe historinë e përbashkët të dy trojeve, ashtu që siç është e vërtetë që lagen nga i njëjti det, Adriatiku ose Adria, tregon dhe selinë e paraardhësve të përbashkët.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri Peter Japelj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se “jam shumë i nderuar që ndodhem sot këtu midis jush me rastin e 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Sllovenisë dhe Shqipërisë. Mund të them që marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona lidhen me anë të një miqësie shumëvjeçare të përbashkët dhe solide. Kjo ekspozitë dëshmon jo vetëm për lidhjet tona aktuale por edhe ato historiko-kulturore ndër shekuj”.

Sot do organizohet dhe Simpoziumi shkencor me po të njëjtin titull në orën 10:00, salla UNESCO Muzeu Historik Kombëtar./ KultPlus.com

Të ngjajshme