UP-ja distancohet nga deklarata e profesor Kastratit dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur

5 Prill, 2021 - 12:00 pm

Para rektoratit të UP-së janë mbajtur sot protesta ku është kërkuar përjashtimi i Ardian Kastratit nga Universiteti i Prishtinës.

Ky reagim erdhi pasi deputeti Ardian Kastrati i cili është edhe profesor në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës, pas përzgjedhjes së Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, duke ironizuar me satirën e Faik Konicës. Komentuesit e shumtë e kanë kritikuar për seksizëm dhe gjuhë të urrejtjes dhe si pasojë e kësaj po kërkohet edhe shkarkimi i tij, shkruan KultPlus.

Për këtë çështje, ka reaguar sot edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” të cilët njoftojnë se kanë ndjekur me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e një shkrimi të publikuar dje në llogarinë e tij në Facebook nga Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik të UP-së.

“Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja dhe shpreson në stabilizimin e rrethanave politike në vend. Por, në situatën e krijuara nga rasti i lartpërmendur, UP-ja njofton opinionin që, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, kërkon nga personeli i tij që pavarësisht institucionit ku janë të angazhuar, me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tyre të ruajnë imazhin e UP-së”, shkruan në komunikatë.

Tutje, UP-ja distancohet nga deklarata individuale e profesor Kastratit si dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur.

Në suazat e përgjegjësive të veta statutare, UP-ja në ditët në vijim do të trajtoj rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi. / KultPlus.com

Të ngjajshme