UP ngritet për 103 vende në ranglistën e universiteteve evropiane

28 Korrik, 2023 - 9:02 pm

Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ në matjet e Webometrics-it, këtë vit ka shënuar ngritje niveli për 103 vende më lartë, sa ishte në vitin e kaluar në muajin korrik, shkruan KultPlus.

Universiteti i Prishtinës bën pjesë në top 1 mijë universitetet në mesin e 6010 istitucioneve nga Evropa, përderisa në hapsirën mbarëshqiptare vazhdon të jetë lider i arsimit të lartë.

“Universiteti i Prishtinës vazhdon të dëshmohet si institucion lider i arsimit të lartë në mbarë hapësirën shqiptare. Kjo u vërtetua edhe një herë në azhurnimin e korrikut të Webometrics-it, ku UP-ja në këtë edicion ka shënuar ngritje për disa vende.

Në renditjen e përgjithshme, UP-ja është ngritur për 103 vende nga janari i këtij viti, kur është publikuar edhe renditja paraprake e rreth 12 mijë institucioneve të arsimit të lartë nga mbarë bota. Ndërkaq, në një kohështrirje vjetore, nga korriku i vitit 2022, UP-ja është ngritur për 130 pozicione më lartë, thuhet në komunikatën e UP-së.

Më tutje në komunikatë thuhet se: “UP-ja është në top 1 mijë universitetet, i renditur në vendin e 960 në mesin e 6010 institucioneve nga Evropa që i nënshtrohen këtij rangimi”.

Webometrics është renditje e institucioneve të arsimit të lartë, e cila realizohet çdo gjashtë muaj nga Cybometrics Lab (Spanish National Research Council, CSIC)./KultPlus.com

Të ngjajshme