Uresa Ahmeti përmes poezisë, vallëzimit dhe muzikës futi publikun nga përjetimi i dhimbjes në vetë-realizim

17 Tetor, 2023 - 5:57 pm

Të shtunën, më 14 tetor, shkrimtarja dhe artistja, Uresa Ahmeti ka dhënë premierë performancën e saj “Break/ing” në parkun e qytetit në Prishtinë.

Nuk ishte asgjë më pak se një udhëtim magjepsës nëpër thellësitë e shpirtit njerëzor, një akt i emërtimit të shtypjes dhe një testament prekës i fuqisë së artit. Nëpërmjet poezisë, vallëzimit dhe muzikës, ajo e dërgoi publikun nga përjetimi i dhimbjes në vetë-realizim, ndjeshmëri dhe dashuri radikale.

Ajo filloi duke ndërtuar një atmosferë therëse të izolimit dhe ndjenjës së të qenit e lidhur me zinxhirë, dhe gjatë gjithë performancës së saj, me fjalët dhe lëvizjet e saj, ngadalë u shkëput nga guaska e saj – një simbol i kufizimeve të shoqërisë ndaj grupeve të margjinalizuara. Lëvizjet e saj u bënë më të shpejta dhe më të lira. Ritmi i saj iu kujtoi të gjithëve aftësinë e trupave tanë për lumturi dhe rezistencë.

“Kjo performancë ishte një protestë kundër sistemeve sociale që çdo ditë na vrasin shpirtin, trupin dhe mendjen. Këtë performancë ia dedikoj fuqisë që mbajmë brenda për të qëndruar në këmbë dhe për të mos heshtur. Ndihem më e fortë dhe e lehtësuar pas kësaj performance. Unë e dua lirinë dhe gëzimin dhe kurrë nuk do të kënaqem me më pak. Për mua kjo performancë ishte një akt dashurie për veten dhe një dhuratë për audiencën time për të përdorur momentet tona të thyerjes si mësime dhe nxitje për ndryshim”, u shpreh Uresa.

Kjo performancë u mbështet nga Fondi për Art Feminist i organizatës Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. /KultPlus.com

Të ngjajshme