Ushtari që s’u bë dashnor i Mbretëreshës Teutë  

29 Janar, 2022 - 12:18 pm

Tregim nga Binak Kelemendi

Një anije e madhe që ai nuk e dinte dot në ç’formë gjeometrike ishte dhe as ç’ngjyrë mbante, kishte ndritur paksa mbrëmjen e vonë me qiellin ende të purpurtë nga dielli që kushedi se ku kishte shkuar, ujin e zi të valëzuar me shkëlqim të kuq, dhe, i kishte ndritur sidomos njerëzit që i dukeshin aq të panjohur, shumë të largët, nga pak të huaj, të ardhur nga një planet tjetër, shumë të ftohtë, edhe pse ai e dinte ose thoshte kot se deti i ngroh njerëzit dhe ndjenjat njerëzore në brigjet e veta.

Në port, pos anijes me të cilën ai do të udhëtonte, kishte dhe shumë anije të tjera, ca të mëdha e ca të vogla, të zeza e të bardha, pothuaj me të gjitha ngjyrnat  e mundshme, ose të paktën me të gjitha ngjyrnat që ai i dallonte me sy.

Tek i shikonte ato dhe tek i vështronte njerëzit në platformë, ai përnjëherë dhe me rrëmbim, para vetes, nga njëra anë e detit, nxori lembat e Teutës e të Agronit me shumë lundërtarë e me shumë ushtarë me shqyta e me ushta, me tërfurq e me sëpata, me topuzë e shigjeta, ndërsa nga ana tjetër e detit, i renditi një për një, si me spango, galerat e Romës me shumë remtarë, me shumë shigjetarë, me shumë hobistë, me shumë shpatarë…

Zjarre të vogla e të mëdha dilnin nga uji e hije të zeza e të kuqe binin në ujin shumë të trazuar të detit. Aty për aty dhe përnjëherë, në paraport, te këmbët e tij, para gjithë atyre njerëzve e anijeve dhe sidomos para syve të tij, u zhvillua një betejë e ashpër detare, me të gjitha mjetet e forta luftarake. Atij iu duk, madje, se në betejë, pos njerëzve dhe armëve, u përfshinë edhe peshq e peshkaqenë nëpër valët e mëdha të ujit.

Duke shikuar këtë skenë, ose dhe duke e udhëhequr vetë luftën detare, betejën, e korrigjoi ai veten, nuk e mori vesh dot se kush dhe cili fitoi: Teuta e Agroni dhe ai bashkë me ata, apo ushtria e Romës me senatorin që ngriste dorën dhe bënte me gisht para syve të mbretit e mbretëreshës e të atij dhe me peshqit e peshkaqenët që kohë pa kohe dilnin mbi valë duke tundur bishtin dhe duke nxjerrë ujë nga shpina.

Senatori thoshte me kërcënim që asnjë lembë e mbretëreshës të mos binte më nëpër det e të mos ndalej në brigje, ndërsa Teuta po i krihte flokët para çadrës duke u qeshur dhe duke i ftuar me gisht ushtarët një për një që të futeshin në çadrën e madhe.

Pak më vonë, ose dhe ndoshta mu në momentin e ngritjes së armëve, të zjarreve, të dorës e të zërave nga uji, edhe lembat e edhe galerat, i përbiu një e valë e madhe deti dhe i futi përnjëherë shumë thellë në brendësinë e zezë të ujit.

 Ai, duke shikuar me habi njerëzit në mol, anijet që tundeshin në ujë, ofshani, gjëmoi, nga dhembja ose nga frika, bëri me duar e me këmbë sikur të notonte për të shpëtuar nga ajo valë që kurrë s’e mori vesh nga dhe si i erdhi aq afër, dhe lëvizi me hapa shumë të ngadalshëm, sikur i penduar, as vetë s’e dinte përse, drejt shkallëve për t’u ngjitur në kuvertë. Pastaj u ndal në mes të shkallëve dhe shikoi poshtë, atje ku gjendej grumbulli i madh i njerëzve. 

Ai nuk foli.

Nuk kishte si të fliste, iu mor goja dhe mendja: Përpara tij, pranë çadrës së madhe të verdhë, Teuta, me tunikën e zezë në supet e bardhë, me balluket nën helmetë te vetullat, me flokët në bel, me gjoksin shumë të nxjerrë, me sytë si deti, me duart që vërtisnin shpatën vërdallë dhe sipër kokës së tij, e kishte ngulur heshtën në tokë dhe po i nxirrte ushtarët e zgjedhur një nga një nga rreshti duke ua treguar me duar e me majë shtize çadrën nga duhej të ecnin.

Ushtarët e zgjedhur, të trembur, e lëshuan rreshtin ushtarak dhe iu afruan Mbretëreshës duke e futur në mesin e tyre.  

– Rreshtohuni, iu tha pastaj Teuta ushtarëve.

Ushtarët u rreshtuan me shpejtësi shumë të madhe.

Edhe ai bëri të rrinte gatitu me ta.

Teuta ia nisi rivistës.

“Një, dy, një, dy”, numëroi hapat ushtarakë ai. 

– Ti, ti dhe ti, pas meje, bëri Teuta me zërin e dridhur duke hapur me shpatë dyert e kuqe të çadrës së verdhë.

Ushtarët e ndoqën nga pas.

Teuta hyri në çadër. Edhe ushtarët pas saj. 

Edhe ai bëri të ecte.

“Dua të jem ushtar i Mbretëreshës”, “dua të jem ushtar në çadrën e saj”, tha ai.

– Shporrmu sysh! Qëroho, menjëherë, nga këtu! Ti nuk je ushtar, nuk je as për ushtar dhe nuk ka si të jesh ushtar as për çadrën time, në asnjë mënyrë nuk mund të jesh ai ushtari që e dua dhe që e dëshiroj unë, bëri, udhëroi mbretëresha duke mbyllur me majë shpate dyert e kuqe të çadrës së verdhë dhe duke larguar tunikën nga supet e duke nxjerrë jashtë krahët e bardhë si tamli. 

Ai u struk, u bë një grusht njeri, mbylli sytë, veshët, gjithë shikimin para vetes, të gjitha zhurmat e ujit, njerëzve, anijeve tek dëgjonte zëra dhe klithma dashurie që nuk e dinte dot se nga vinin dhe se nga dilnin.

Pastaj hapi sytë dhe veshët: As çadër e verdhë, as ushtarë të rreshtuar, as mbretëreshë e shpupurisur flokësh.

Ndoshta as ai nuk ishte më./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme