‘Vajzë Fest’ mbyll edicionin e tretë: Tri ditë këngë, valle e art në zemër të Lumit të Vlorës

25 Gusht, 2025 - 6:50 pm

Mbrëmja e së dielës ka shënuar mbylljen e edicionit të tretë të “Vajzë Fest”, një aktivitet artistik mbresëlënës, që për tri ditë me radhë mbushi me këngë, valle dhe art krahinor zonën e Lumit të Vlorës.

Një edicion që i përmbushi të gjitha pritshmëritë sipas njërit prej organizatorëve regjisorit, Armand Bora. “Vendosim pritshmëritë tona, por ato janë tejkaluar. Pa dyshim falë miqve që vijnë, falë popullatës së Vajzës, por edhe të fshatrave përreth,” tha z. Bora.

Festa bëri bashkë personalitete e banorë të shumtë, të cilët vlerësuan traditën e kësaj treve dhe përcjelljen e saj brez pas brezi.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, bir i kësaj treve, thotë se vlera mbetet rrënja, e se vlerë mbi vlerë është përcjellja e kulturës e traditës së zonës ndër breza.

“Në fakt ne e bëjmë për herë të tretë. Unë ndihem shumë krenar për mënyrën sesi zhvillohen aktivitetet në Vajzë. Unë jap mbështetjen për ta, por sigurisht çdo gjë varet nga këta njerëz, që e bëjnë me shumë dashuri, me shumë përkushtim. Më habit shumë që kanë dëshirë për të dhënë kontribute, për ta bërë sa më mirë një festë të tillë,” u shpreh z. Sadushi.

Në organizim ka kontribuar edhe pushteti vendor, duke e parë aktivitetin si një vlerë të shtuar për turizmin. “Këto aktivitete që bëjmë sot nuk janë takim brezash. Janë aktivitete për të promovuar polifoninë, traditën, gastronominë, sitet arkeologjike…” tha kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bello.

Banorët, të ardhur edhe nga larg, e shijuan çdo detaj të kësaj feste të bukur.

Piktura, aktrimi, muzika dhe sporti ishin pjesë e mozaikut të gjerë që e bëri këtë edicion të paharrueshëm/rtsh/KultPlus.com

Të ngjajshme