Vaksinimi, sfida e madhe e Gatesit

29 Nëntor, 2020 - 11:00 pm

Kreu i një prej prodhuesve më të mëdhenj të vaksinave në botë kishte një problem. Adar Poonawallas, shef ekzekutiv i Institutit të Serumit të Indisë, i duheshin 850 milionë dollarë për gjithçka, në mënyrë që të niste të prodhonte dozat e vaksinës premtuese kundër koronavirusit për të varfrit në botë.

Poonawalla mendoi t’i rrezikonte 300 milionë dollarë të kompanisë së tij, por sërish do të duheshin më shumë se gjysmë miliard dollarë. Ndaj ai kërkoi ndihmën e një shefi ekzekutiv të një kompanie softuerësh, tashmë i dalë në pension në Seattle.

Bill Gates, themeluesi i “Microsoft-it”, i kthyer tashmë në një filantrop, e njihte prej vitesh Poonawallan. Gates kishte shpenzuar miliarda dollarë për të ndihmuar në shpërndarjen e vaksinave në botën në zhvillim, duke bashkëpunuar me drejtuesit e kompanive farmaceutike për ta transformuar tregun.

Angazhim i dyfishtë

Në këtë mënyrë ai u bë lojtari më i fuqishëm – dhe provokues – privat në shëndetin global. Në fund të bisedës mes tyre gjatë verës që shkoi, Gates ia dha një premtim: fondacioni Bill dhe Melinda Gates do të siguronte një garanci prej 150 milionë dollarësh, në mënyrë që fabrika indiane të mund të niste prodhimin e vaksinës.

Deri në shtator, fondacioni e kishte dyfishuar angazhimin e tij. Ajo ishte pjesë e një përpjekjeje prej 11 miliardë dollarësh, për të krijuar bazën e blerjes së vaksinave kundër koronavirusit për më shumë se 150 vende të botës, edhe pse në fund ato mund të kushtojnë shumë më tepër.

E financuar kryesisht me para publike, nisma drejtohet nga dy organizata globale jofitimprurëse globale që Gates i ndihmoi në fillim, bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila mbështetet te “Gates Foundation”, si një nga donatorët e saj më të mëdhenj.

Ai që punon në prapaskenë është njeriu i dytë më i pasur në botë. Gates e sheh veten dhe fondacionin e tij me një fond prej 50 miliardë dollarësh si të mirëpërgatitur për të pasur një rol qendror në këtë nismë. Në këtë kuadër, Gates dhe ekipi i tij po i shfrytëzojnë lidhjet dhe infrastrukturën që fondacioni ka ndërtuar për dy dekada.

Ndërsa vaksinat e para kandidate po nxitojnë të aplikojnë tek autoritetet rregullatore, çështja se si të imunizohet shumica e popullsisë botërore është bërë më urgjente. Por, nëntë muaj nga nisja e pandemisë, suksesi i nismës të njohur si “Covax” nuk është aspak i sigurt.

Shpërndarja

Deri më tani ajo ka mbledhur vetëm 3.6 miliardë dollarë në fonde për kërkime, prodhim dhe subvencione për vendet e varfra. Tri kompani farmaceutike kanë premtuar t’i japin vaksina, por nuk dihet ende nëse ato do të jenë efektive. Ndërkaq, mund të jetë e vështirë të sigurohen në kohë miliardat e dozave të nevojshme me një kosto të përballueshme, pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të pasura kanë nënshkruar tashmë marrëveshjet për t’i vaksinuar qytetarët e tyre.

Nëse nisma, e ndihmuar nga pasuria dhe fokusi që ka zoti Gates, arrin të ndihmojë në mbrojtjen e të varfërve të botës nga një virus që tashmë ka vrarë më shumë se 1.3 milionë njerëz, ajo do t’i afirmojë strategjitë që ai ka promovuar në punën e tij filantropike, përfshirë stimujt për kompanitë farmaceutike.

Por, nëse ajo dështon, mund t’i intensifikojë thirrjet për një qasje më radikale. Në mesin e pandemisë, disa zyrtarë të shëndetit publik thonë se prodhuesit e vaksinave, shumë prej të cilëve kanë përfituar financime të mëdha publike, duhet të detyrohen me ligj që të ndajnë teknologjinë, të dhënat dhe njohuritë e tyre për të maksimizuar prodhimin.

Në planin aktual të shpërndarjes globale të vaksinave, vendet e varfra do të merrnin doza të mjaftueshme për të vaksinuar 20 për qind të popullsisë së tyre deri në fund të vitit të ardhshëm. Disa modele tregojnë se nuk do të ketë vaksina të mjaftueshme për t’i vaksinuar të gjithë deri në vitin 2024.

Ndërsa Gates ka shtuar daljet publike për të kërkuar mbështetje për nismën, ai është vënë gjithnjë e më shumë në shënjestër të teorive të konspiracionit që mund t’i minojnë përpjekjet e vaksinimit. Disa pretendojnë pa asnjë fakt se fondacioni i tij testoi vaksinat që vranë mijëra fëmijë në Afrikë dhe Indi, ndërsa të tjerët e lidhin filantropin me gjoja përpjekjet për shpopullimin e botës.

Dyshimet për mikroçipa

Një sondazh në maj të këtij viti zbuloi se 44 për qind e republikanëve në SHBA besonin se përpjekja globale për imunizimin nga koronavirusi ishte një pretekst i Gates për të implantuar mikroçipa në trupat e njerëzve, për t’i përgjuar ata. Ky pretendim është i pabazë.

“Unë nuk e kam dëgjuar asnjëherë Bill apo Melinda Gates të flasin për një gjë të tillë” – thotë investitori miliarder Warren Buffett, që ia ka besuar Fondacionit Gates 31 miliardë dollarë të pasurisë së tij, duke i dhuruar për bamirësi.

Kur shpërtheu pandemia e koronavirusit Gates u ndje i përgatitur për këtë moment, pasi kishte ndërtuar institucione globale dhe deri në atë moment kishte dhënë 55 miliardë dollarë, katër herë më shumë sesa Fondacioni Ford. Ai u interesua për vaksinat në fund të viteve 1990, kur shumë kompani farmaceutike kishin ndaluar prodhimin e vaksinave, duke i parë të padobishme.

Gates ndihmoi në krijimin e një modeli të ri biznesi që përfshin subvencionet, angazhimet paraprake të tregut dhe garanci për prodhimin. Këto lëvizje të tij joshën më shumë prodhues, përfshirë ata nga bota në zhvillim, duke sjellë prodhimin e shumë vaksinave që shpëtojnë jetë njerëzore.

Fondacioni i tij ka shpenzuar më shumë se 16 miliardë dollarë në programet e vaksinave, një e katërta e kësaj shkon për GAVI. Ndërkohë, ai ia ka dhënë 2.25 miliardë dollarë Fondit Global për të luftuar SIDA-n, tuberkulozin dhe malarien. Me një fond fillestar prej 100 milionë dollarësh, Gates ndihmoi në krijimin e Koalicionit për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike në Oslo, për të investuar në ilaçe dhe vaksina eksperimentale.

“Kur do ta ndalim pandeminë?”

Fondacioni, që ka rreth 1600 punonjës, financoi shumë studiues dhe investoi direkt te kompanitë farmaceutike. Një prej tyre ishte kompania gjermane BioNTech, e cila përfitoi një investim prej 55 milionë dollarësh në shtatorin e vitit 2019. Kjo kompani, në partneritet me Pfizer, njoftoi javën e kaluar se vaksina e tyre e përbashkët kundër COVID-19 duket të jetë 95 për qind efektive, teksa është aplikuar zyrtarisht tek Administrata e Barnave dhe Ushqimit në SHBA, për një autorizim emergjent për fillimin e përdorimit të saj në masë.

Një numër në rritje vendesh i janë përkushtuar kësaj nisme. “Gates Foundation” po financon gjithashtu një portofol të vaksinave të valës së dytë që synojnë botën në zhvillim. Ka mjaftueshëm para për të filluar blerjen e dozave të vaksinës pasi ato të miratohen dhe Gates shpreson miliarda të tjerë, shumë të nevojshme për të arritur qëllimin e tij. Me rastet e koronavirusit që po shumëfishohen në të gjithë botën, Gates thotë se ka një mënyrë shumë të thjeshtë për ta gjykuar iniciativën globale të vaksinave. “Kur do ta ndalim pandeminë? Ky është parametri me të cilin duhet të matet e gjithë kjo nismë”, thotë ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme