Vangjel Toçit i ipet dekorata ‘Nderi i Kombit’ pas vdekjes

10 Shkurt, 2021 - 10:40 pm

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i dorëzoi sot familjarëve dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” për profesorin Vangjel Toçi (pas vdekjes).

Titulli i lartë iu dorëzua familjarëve në një aktivitet të zhvilluar në kuadër të kremtimit të 30-vjetorit të Shoqatës “Durrësi”.

“Arkeologu i mirënjohur durrsak, profesor Vangjel Toçi është një personalitet emblematik i kulturës shqiptare, të cilit do t’i jemi përherë mirënjohës për zbulimet e jashtëzakonshme në ndriçimin e identitetit kulturor dhe qytetërimit tonë të lashtë. Do të mjaftonte zbulimi i dy prej monumenteve arkeologjike më të rëndësishme si, Amfiteatri antik i Durrësit e mozaiku ‘Bukuroshja e Durrësit’ për ta bërë të përjetshëm kujtimin e tij”, tha Meta.

Kreu i shtetit u shpreh se “puna shkencore dhe vepra e këtij personaliteti të madh tingëllojnë këmbanë alarmi për zgjimin e ndërgjegjes qytetare dhe kombëtare, veçanërisht kur betonizimi i pasurisë arkeologjike po vret botën antike të Durrësit dhe jo vetëm”.

“Nderimi më i madh, që mund t’i bëjmë këtyre personaliteteve është mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë të jashtëzakonshme kulturore”, – tha Meta.

Vangjel Toçi lindi më 11 tetor të vitit 1920 në Elbasan. Toçi i  kushtoi shumë vëmendje muzeologjisë dhe në veçanti arkeologjisë. Me punën e tij arriti krijimin e bibliotekës së qytetit të Durrësit dhe Muzeun Arkeologjik. Arkeologu Toçi punoi me pasion dhe këmbëngulje për amfiteatrin, që është një monument i lashtësisë.

Një meritë tjetër në punën e tij është studimi që ai ka bërë në lidhje me përbërjen e popullsisë që jetonte në qytetin antik, nga ku, nëpërmjet mbishkrimeve të varreve jep një listë të gjatë të emrave ilirë. Vangjeli transmetoi tek banorët e tij bashkëqytetarë, ndjenjën e përgjegjësisë për mbrojtjen e së kaluarës, duke i bërë kështu bashkëpunëtorë me të në rrugën e gjatë të njohjes dhe identitetit të së kaluarës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme