Vasfije Krasniqi- Goodman: Dhimbja ime është pjesë e historisë sonë, dhe ajo duhet të dëgjohet

13 Prill, 2025 - 5:07 pm

Vasfije Krasniqi- Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë ka kujtuar ditët më të trishta të jetës së saj.

14 prilli i vitit 1999 ka qenë një datë e cila ndryshoi rrjedhën e zakonshme të jetës së saj, për ta shëndrruar atë në një heroinë të historisë së vendit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social facebook ajo ka thënë se dhimbja e saj është një pjesë e historisë së Kosovës, e cila duhet të dëgjohet.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Vasfije Krasniqi- Goodman në facebook:

Atë ditë, jeta ime ndryshoi përgjithmonë. Para saj, frika ime më e madhe ishte vdekja – një e panjohur që më përndiqte në netët pa gjumë, në zhurmën e çdo shpërthimi, në ecjen e çdo ushtari serb që afroheshin gjithnjë e më shumë. Por pas 14 prillit, një frikë tjetër më e rëndë u ngulit në shpirtin tim: frika e dhunës, e përdhunimit – diçka që kurrë nuk e mendoja se do të më ndodhte, diçka që e kisha parë vetëm në rrëfimet e të tjerëve, e që mendova se do të më kalonte pranë pa më prekur.

Por jo. Pas asaj dite, vdekja u bë një dëshirë, jo një frikë. E kërkova, e lutej zemra ime për të, sepse ndihesha e shkatërruar, e thyer në çdo formë të mundshme. Trupi im nuk ishte më i imi. Zëri im ishte heshtur, ndërsa bota kishte ndalur së dëgjuari. Dhe sërish, vdekja nuk erdhi. Jetova.

Jetova, edhe pse shumë herë mendova të dorëzohesha. Në errësirat e netëve të mia, kërkova arsye për të vazhduar, për të ngritur kokën, për të mos u rrëzuar përfundimisht. Dhe sërish, nuk e di nga vinte ajo forcë që më mbante gjallë. Ndoshta nga kujtimi i familjes, ndoshta nga shpresa se një ditë zëri im do të dëgjohej, ose ndoshta nga dëshira që askush tjetër të mos kalojë atë që unë kalova.

Kam parë të mirën dhe të keqen në jetë, kam takuar njerëz që më ndihmuan të ngrihem dhe të tjerë që më thyen pa mëshirë. Por sot, kur e kujtoj atë ditë, nuk jam më vetëm viktimë. Jam dëshmi. Jam një zë që mbijetoi dhe që nuk do të heshtë më. Sepse dhimbja ime është pjesë e historisë sonë, dhe ajo duhet të dëgjohet./ KultPlus.com

Të ngjajshme