Vdekja e Zezë​, katastrofa më e madhe e Evropës Mesjetare

18 Tetor, 2021 - 6:55 pm

Ishte viti 1347, murtaja tashmë kishte bërë kërdinë në Lindjen e Largët. Tani, ajo kishte mbërritur në dyert e kufijve lindorë të Europës. Mongolet kishin rrethuar pikën e fortifikuar tregtare Xhenoveze të Kafas, që tani quhet Feodozia, në Krime. Të shpartalluar për vete nga sëmundja misterioze, mongolet e ndërprenë sulmin. Por, para se të tërhiqeshin, bënë një sulm të fundit vdekjeprurës.

Duke përdorur katapulta gjigante, ata hodhën mbi muret e qytetit trupat ende të ngrohtë të viktimave të murtajës. Më vonë ushtarët Xhenovezë e përhapën sëmundjen në çdo vend ku shkuan. Brenda disa muajsh, vdekja kishte pllakosur në tërë Europën. Me shpejtësi, ajo u përhap në Afrikën e Veriut, në Itali, në Spanjë, në Angli, në Francë, në Austri, në Hungari, në Zvicër, në Gjermani, në Skandinavi dhe në vendet balltike. Brenda dy viteve, më shumë se një e katërta e popullsisë së Europës, rreth 25 milionë njerëz ranë viktimë.

Për ta rënduar katastrofën luajtën rol disa faktorë, njëri nga të cilët ishte zelli fetar. Doktrina e purgatorit është një nga këta faktorë. Aty nga fundi i shekullit të 13-të, besimi në purgatorin ishte i përhapur kudo, thotë historiani francez Zhak lë Gof. Në fillim të shekullit të 14-të, Danteja shkroi Komedinë hyjnore​ vepër që pati ndikim të madh​ në të cilën i bëheshin përshkrime të gjalla ferrit dhe purgatorit. Për pasojë, u zhvillua një klimë fetare ku njerëzit ishin të prirur ta përballonin murtajën me një apati dhe një nënshtrim të habitshëm, duke e konsideruar atë si një ndëshkim nga vetë Perëndia. Kjo gjendje mendore pesimiste i dha shtysë përhapjes së sëmundjes.

Asgjë tjetër nuk mund të kishte siguruar më shumë material premtues, ku murtaja të mund të ushqehej, vërehet në librin: The Black Death (Vdekja e Zezë), nga Filip Zigler. Përveç kësaj, ekzistonte edhe problemi i prishjes së prodhimeve bujqësore në Europë në mënyrë të përsëritur. Për pasojë, popullsia e kontinentit që po shtohej me shpejtësi, vuante nga keq ushqyerja dhe nuk ishte e pajisur për t’i rezistuar sëmundjes. Sipas mjekut personal të papa Klementit VI, Gi dë Sholiak. Europën e kishin pushtuar dy lloje murtajash: pneumonike dhe bubonore. Ai i përshkroi në mënyrë të qartë këto sëmundje, duke shkruar: E para zgjati dy muaj. Njerëzit kishin temperature të vazhdueshme, pështynin gjak dhe vdisnin brenda tri ditësh. E dyta, zgjati gjithë periudhën që mbeti, duke pasur edhe kjo temperaturë të vazhdueshme. Nga kjo lloj murtaje, një njeri vdiste brenda pesë ditësh. Mjekët nuk ishin të zotë ta ndalnin përparimin e murtajës. Shumë njerëz u larguan me panik, duke lënë nga pas mijëra të tjerë të infektuar. Në fakt, ndër të parët që ikën ishin fisnikët e pasur dhe mjekët.

Ndonëse u larguan edhe disa klerikë, shumë anëtarë të urdhrave të ndryshme fetare u fshehën në manastiret e tyre, duke shpresuar t’i shpëtonin infektimit. Mes këtij paniku, papa e shpalli vitin 1350 një Vit të Shenjtë. Pelegrinëve që bënin udhëtimin për në Romë do t’u lejohej të hynin drejtpërdrejt në parajsë, pa iu dashur të kalonin nëpër purgator. Qindra e mijëra pelegrinë iu bindën kësaj thirrjeje, duke e përhapur murtajën në vendet nga të cilat kaluan gjatë udhëtimit. Përpjekjet për ta kontrolluar Vdekjen e Zezë ishin të kota, sepse askush nuk e dinte në të vërtetë se si transmetohej ajo. Shumica e kuptuan se kontakti me një person të sëmurë ose edhe me rrobat e tij, ishte i rrezikshëm. Disa madje kishin frikë edhe kur i shikonte një person i sëmurë. Kurse, banorët e Firences në Itali ia hodhën fajin maceve dhe qenve për murtajën. Ata i vranë këto kafshë, duke mos e kuptuar se me këtë veprim, po i linin rrugë të lirë një krijese që faktikisht kishte rol në përhapjen e infektimit, miut. Me shtimin e vdekjeve, disa iu drejtuan Perëndisë për ndihmë. Burra e gra i dhanë kishës gjithçka që kishin, duke shpresuar se Perëndia do t’i mbronte nga sëmundja ose, të paktën, do t’i shpërblente me jetën qiellore nëse vdisnin. Kjo bëri që në duart e kishës të grumbullohej një pasuri e stërmadhe. Kura të përhapura ishin edhe hajmalitë për fat, ikonat e Krishtit dhe nuskat.

Të tjerë iu drejtuan besëtytnive, magjisë dhe pseudomjekësisë për të kërkuar kura të ndryshme. Thuhej se parfumet, uthulla dhe disa lëngje të veçanta e mbanin larg sëmundjen. Një kurë tjetër e preferuar ishte të lihej të derdhej gjak nga trupi. Madje, fakulteti dijeplotë i mjekësisë në Universitetin e Parisit ia atribuoi murtajën renditjes së planeteve. Gjithësesi, shpjegimet e rreme dhe kurat nuk bënë asgjë për të ndërprerë përparimin e kësaj murtaje vrasëse. Pas pesë vjetësh, u duk më në fund se Vdekja e Zezë kishte arritur në përfundim. Por ajo do të përsëritej të paktën katër herë deri në fund të shekullit. Pasojat që la Vdekja e Zezë mund të krahasohen me ato të Luftës I Botërore. Nuk ka pothuajse asnjë mospajtim mes historianëve modernë se periudha e murtajës endemike (sëmundje ngjitëse që përhapet vazhdimisht në një zonë) pati pasoja të thella si për ekonominë, ashtu edhe për shoqërinë pas vitit 1348, vërehet në një libër të vitit 1996, The Black Death in England (Vdekja e Zezë në Angli).

Murtaja fshiu nga faqja e dheut një pjesë të madhe të popullsisë dhe kaluan shekuj përpara se disa zona të banoheshin përsëri. Me pakësimin e krahut të punës, pagesa për punën natyrisht u rrit. Pronarët e tokave, dikur të pasur, falimentuan dhe sistemi feudal​ një shenjë dalluese e epokës së Mesjetës​ mori fund. Prandaj, murtaja qe një shtysë për ndryshime politike, fetare dhe shoqërore. Para murtajës, klasa e arsimuar në Angli fliste përgjithësisht gjuhën frënge. Por, vdekja e shumë mësuesve të frëngjishtes ndihmoi që në Britani, anglishtja të fitonte epërsi mbi frëngjishten. Ndryshime ndodhën edhe në sferën fetare. Siç e vëren historiania franceze, Zhaklinë Brosoje, për shkak të mungesës së kandidatëve për priftërinj, edhe Kisha shpesh rekrutonte individë të pamësuar dhe apatikë. Brosoje deklaron se rënia që pësuan qendrat e kishës për arsimimin dhe për besimin ishte një prej shkaqeve të Reformës. Patjetër, Vdekja e Zezë la gjurmë edhe në art, ku vdekja u bë një temë e zakonshme artistike. Zhanri i famshëm i valles makabre, ku paraqiten në përgjithësi skelete dhe kufoma, u bë një alegori e njohur e pushtetit të vdekjes. Të pasigurt për të ardhmen, shumë nga ata që i mbijetuan murtajës, flakën tej çdo lloj kufizimi moral. Kështu, morali shkoi poshtë e më poshtë në mënyrë tronditëse. Sa për kishën, duke qenë se dështoi të parandalonte Vdekjen e Zezë, njerëzit e epokës së mesjetës menduan se Kisha e tyre i kishte lënë në baltë.

Gjithashtu, disa historianë thonë se ndryshimet shoqërore që vijuan fill pas Vdekjes së Zezë nxitën individualizmin dhe sipërmarrjet, si edhe shtuan lëvizshmërinë shoqërore dhe ekonomike​, pararendësit e kapitalizmit. Veç kësaj, Vdekja e Zezë i nxiti shtetet e kohes, që të vendosnin sisteme kontrolli për higjenën. Pasi u fashit murtaja, Venecia mori masa për të pastruar rrugët e qytetit. Mbreti Xhon II i Francës, i mbiquajtur i Miri, në mënyrë të ngjashme urdhëroi pastrimin e rrugëve si mjet për të parandaluar kërcënimin e një epidemie. Këtë hap mbreti e mori pasi kishte mësuar për një mjek të lashtë Grek, i cili e kishte shpëtuar Athinën nga një murtajë, duke fshirë e duke larë rrugët. Shumë rrugë mesjetare, të cilat ishin bërë kanale të hapura ujërash të zeza, më në fund u pastruan. Gjithsesi, vetëm në vitin 1894, bakteriologu francez Aleksandër Yersin izoloi bacilin përgjegjës për Vdekjen e Zezë. Ai u quajt Yersinia pestis, duke marrë emrin e këtij bakteriologu. Katër vjet më vonë, një francez tjetër, Pol Lui Simon, zbuloi rolin që kishin pleshtat (te mbartur nga brejtësit) në transmetimin e sëmundjes. Menjëherë u përgatit një vaksinë që pati sukses të kufizuar. A është murtaja diçka e së kaluarës? Vështirë te thuhet po.

Në dimrin e vitit 1910, në Mançuri vdiqën rreth 50.000 njerëz nga murtaja. Veç kësaj, çdo vit Organizata Botërore e Shëndetësisë regjistron mijëra raste të reja dhe numri vazhdon të rritet. Janë zbuluar, gjithashtu, lloje të reja të sëmundjes, lloje që i rezistojnë mjekimit. Në fakt, murtaja mbetet një kërcënim për njerëzimin, po nuk iu përmbajtëm normave themelore të higjenës. Libri: Përse murtaja? Miu, pleshti dhe buboni, botuar nga Zhaklinë Brosoje dhe Henri Mojare, nxjerr përfundimin se në vend që të jetë një sëmundje e Europës së vjetër të Mesjetës me keqardhje themi se murtaja është ndoshta një sëmundje e së ardhmes. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme