Vdes autori dhe regjisori shqiptar, Vladimir Kasaj

7 Nëntor, 2021 - 10:23 am

Autori dhe regjisori i shumë filmave artistikë shqiptarë, Vladimir Kasaj ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare.

Lajmin për ndarjen nga jeta të tij, e bënë me dije familjarët përmes një postimi në rrjetet sociale.

Regjisori ndërroi jetë për shkak të një Ishemie cerebrale.

Kasaj lindi në Tiranë më 12 tetor të vitit 1950. Dashuria e tij ishte kinemaja.

Ai kreu dy vite Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe pastaj vazhdoi tre vjet Institutin e Kinematografisë në Bukuresht të Rumanisë. U diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe fill më pas punoi si asistent me regjisorin e mirënjohur Dhimitër Anagnosti në filmin “Lulëkuqe mbi mure”.

Filmi i tij i parë u realizua së bashku me Spartak Pecanin , “Streha e re” – 1976; Kaloi si regjisor pranë RTSH-se duke u marrë fillimisht me ekranizimin e dramave dhe filma publicistike.

Në vitin 1978, xhiroi filmin e parë me dy seri “Ditët që sollën pranverën” si dhe filmin “Një nate nëntori” – 1979.

Përveç dramave dhe spektakleve televizive artistike në Televizion, xhiroi edhe 4 filma, ndër të cilët më i suksesshëm rezultoi “Rikonstruksioni” ne vitin 1989 i cili u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu” për regjinë më të mirë.

Ndër filmat e tjerë, mund të kujtojmë “Inxhinieri i minierës” – RTSH, 1981 / “Flaka e maleve” me dy seri– 1982, që dallohet për vlerat e spikatura regjisoriale , “Çanta e zeze” – 1984 me skenarin e Koço Devoles; Kino Komedia “Hapi sytë e zezë” – RTSH, 1984 / “Rrufeja nga mali” (telekomedi) – 1986 me skenarin e Pellumb Kulles.

Realizoi me dhjetëra teledrama me Teatrin Kombëtar, teatrin “Migjeni”, Shkodër, teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës, atë të Korçës apo Elbasanit dhe Fierit si dhe koncertin e madh të ndërrimit të viteve 1980, 1982,1984, 1987 që nga përmasat ishte produksioni më i rëndësishëm i vitit.

Ai gjithashtu ka punuar me artistët si Luftar Paja, Tano Banushi, Skënder Sallaku, Aleko Prodani, Ceken, Zef Deda, Gezim Kruja, Fadi Hasa, apo parodistët e Fierit dhe Vlorës, apo Vaçe Zela, Gaqo Cako, Avni Mula, Zeliha Sinën, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku etj./KultPlus.com

Të ngjajshme