Vdes korifeu i këngës qytetare durrsake, Qemal Kërtusha

9 Mars, 2022 - 12:02 pm

Ndahet nga jeta në moshën 90-vjeçare korifeu i këngës qytetare durrsake Qemal Kërtusha.

Qemal Kërtusha ka lindur më 27 tetor të vitit 1931 dhe ka marrë titulli “Artist i Merituar” më 1968, për  vlerat e mëdha artistike dhe njerëzore të tij.

Ai është përfshirë shpejt në lëvizjen amatore artistike të qytetit qysh në vitin 1946. Më pas, bëhet pjesëmarrës i filarmonisë shqiptare në Tiranë dhe i ansamblit të ushtrisë.

Pasi kryen shkollën e mesme në vendlindje, në periudhën 1951 –1953 studion për kanto me padagoge Artisten e Popullit Marie Kraja. Më pas, kthehet në qytetin e lindjes dhe përfshihet si aktor në teatrin “A. Moisiu”. Me krijimin e estradës profesioniste kalon si këngëtar profesionist dhe jep shfaqje në të gjitha skenat e vendit.

Me një zë krejt të veçantë dhe me mundësi të pakufizuara vokale, diapazoni i tij shtrihet nga muzika popullore, muzika e lehtë, romancat, kënga partizane, kantata e deri tek ajo më e vështira, opera.

Në vitin 1962 merr pjesë në festivalin e parë të këngës në Radio, ku nderohet me çmime për të tria këngët; “Fëmija i parë”, “Vashëzo” dhe “Mos më qorto”. Më pas vijon me çmimet e fituara në shtatëmbëdhjetë festivale rresht.

Në vitin 1963 realizon dhe jep me sukses të parin koncert recital me këngë nga festivalet e muzikës së lehtë.

Në vitin 1968 merr pjesë në operan “Bijtë e Skëndërbeut”.

Ishte fitues i medaljeve të arta në takimet e estradave si në Tiranë, Peshkopi e Shkodër. Të bujshme kanë qenë koncertet e tij në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ku është pritur mjaft ngrohtësisht nga vëllezërit tanë të një gjaku.

Në repertorin e tij numërohen mbi 1000 këngë të kënduara nëpër skenat tona, apo të incizuara në Radio Tirana.

Në vitin 2008 i është akorduar titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit.

Homazhet për këngëtarin dhe artistin e shquar durrsak do të zhvillohen ditën e enjte në hollin e teatrit ”Aleksandër Moisiu” të Durrësit./ KultPlus.com

Të ngjajshme