4 Gusht, 2025 - 4:45 pm
Akademia e Shkencave shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Robert Papavramit.
“Komisioni i Përhershëm i Arteve pranë Akademisë së Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella violinistit me famë botërore Tedi Papavrami, për ndarjen nga jeta të Robert Papavramit, babait dhe mësuesit të Tij”, thuhet në një postim të Akademisë së Shkencave.
“Shkolla shqiptare e violinës sot është më e varfër me këtë humbje, por ngushëllohemi që trashëgimia artistike që Ai la pas vijon në lartësi të reja, kjo falë arritjeve Tuaja, i dashur Tedi. Të rroni e ta kujtoni!”, thekson Akademia e Shkencave.
Robert Papavrami është një nga figurat e njohura të muzikës në Shqipëri. Djali i doktorit Theodhor Papavrami, Roberti u rrit në një familje tradicionale, ku gjëja më e rëndësishme ishte detyra. Roberti i ri u shqua si violinist me shpirt, teksa u bë pedagog i violinës dhe për dekada nxorri shumë violinistë.
Edhe pas vendosjes në Francë ku hapi një shkollë, ai vazhdoi me pasionin e tij për zbulimin e talenteve dhe formimin e violinistëve të rinj. Shumë nga nxënësit e tij kanë debutuar dhe vazhdojnë edhe sot të njihen me emër në skenat e botës.
Një nga këta nxënës është edhe i biri, Tedi Papavrami, sot violinist me famë botërore.
Në nëntor 2014 Robert Papavrami, pedagogu i violinës i disa gjeneratave të artistëve shqiptarë, u nderua nga Kryeministri Edi Rama, me medaljen e mirënjohjes, për kontributin e gjatë në artin shqiptar.
Në një pritje të organizuar enkas nga Kryeministri, në Sallën e Hartave, miq, familjarë, bashkëpunëtorë dhe ish-studentë të tij, ndanë kujtime dhe emocione, me ndjenjën e mirënjohjes për atë çka profesor Berti, siç ata e thërrisnin, nënkuptonte për plejadat e instrumentistëve shqiptarë./atsh/KultPlus.com