17 Gusht, 2025 - 6:32 pm
Aktori britanik Terence Stamp, një figurë e shquar e kinemasë, i njohur për rolin e tij si superkeqbërësi me emrin gjenerali Zod në filmat “Superman”, ka vdekur në moshën 87 vjeç, sipas “The Independent”.
Aktori i nominuar për çmimin Oscar, i cili luajti në më shumë se 60 filma gjatë karrierës së tij, duke përfshirë “The Limey dhe The Adventures of Priscilla, Queen of the Desert” vdiq sot mëngjes, bëri të ditur familja e tij.
“Ai lë pas një vepër të jashtëzakonshme, si aktor dhe si shkrimtar, që do të vazhdojë të prekë dhe frymëzojë njerëzit për vite me radhë”, tha familja.
“Ne kërkojmë privatësi në këtë kohë të trishtueshme”, shtoi ajo.
Stamp u lind në East End të Londrës në vitin 1938, bir i një punëtori rimorkiatorësh.
Ai i mbijetoi bombardimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, menjëherë pas përfundimit të shkollës, ndoqi një karrierë në reklama, ku punoi për disa vite.
Më vonë fitoi një bursë për të studiuar në “Webber Douglas Academy of Dramatic Art” dhe shpejt mori pjesë në një turne kombëtar të dramës së Willis Hall “The Long and the Short and the Tall”, së bashku me aktorin tjetër Michael Caine./KultPlus.com