19 Maj, 2025 - 6:28 pm
Koreografi i njohur rus, Yuri Grigorovich, i teatrit të famshëm rus ”Balshoi” të Moskës, ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare.
Vdekja e tij u njoftua sot nga Muzeu Qendror i Teatrit Shtetëror ”Bakhrushin” në Moskë, i cili shpesh ka organizuar ekspozita mbi jetën dhe veprën e mjeshtrit të baletit.
I lindur më 2 janar 1927 në Leningrad (tani Shën Petërburg), Grigorovich formësoi baletin sovjetik dhe rus për dekada në teatrin e famshëm botëror ”Balshoi” në Moskë.
Grigorovich koreografoi “Spartakun” e Khachaturian dhe “Romeon dhe Zhuljetën” e Prokofiev në teatrin ”Balshoi”, ndër shumë vepra të tjera.
Përshtatjet e tij të baleteve “Liqeni i mjellmave” dhe “Bukuroshja e fjetur” janë legjendare.
Ai drejtoi kompaninë më të madhe të baletit në botë për më shumë se 30 vjet.
Në vitin 1991, ai themeloi çmimin e baletit ”Benois de la Danse”, i cili nderon shfaqjet më të rëndësishme të vallëzimit të vitit të kaluar në një gala madhështore.
“Për një kohë të gjatë, emri i tij ishte praktikisht sinonim në botën perëndimore me koreografinë bashkëkohore në Bashkimin Sovjetik”, shkroi Opera Shtetërore e Bavarisë në një homazh të mëparshëm.
“Vepra e tij është karakteristikë e një stili që përcakton epokën”, shtoi ajo.
Në vitin 2008, në moshën 81 vjeç, Grigorovich u kthye në ”Balshoi” për të marrë një pozicion të përhershëm duke udhëhequr solistët e rinj, duke vënë në skenë prodhime të reja dhe duke ruajtur repertorin.
Grigorovich kishte dhënë dorëheqjen në vitin 1995, pas një mosmarrëveshjeje mbi drejtimin artistik të ”Balshoi”-t./KultPlus.com