Vdiq dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, Artur Sula

21 Shkurt, 2021 - 3:32 pm

Ka vdekur dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, prof. dr. Artur Sula.

Lajmin e bëri të ditur rektori i Universitetit të Tiranës prof. dr. Artan Hoxha i cili u shpreh se, “me hidhërim të thellë mësuam lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të kolegut, mikut tonë të dashur, babait të dy fëmijëve, prof. dr. Artur Sula, dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës”.

Prof. dr. Artur Sula ka qenë pedagog i departamentit të Gjuhës Italiane që prej vitit 1991. Ai ka kryer me devotshmëri funksione të ndryshme, si: përgjegjës i departamentit të Gjuhës Italiane, anëtar i Këshillit të Profesorëve, anëtar i Senatit Akademik, dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe së fundi, anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tiranës.

Prof. dr. Artur Sula është dalluar gjithmonë për kontributin e lartë dhe energjinë e tij pozitive e të pashtershme për zhvillimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, si edhe në vendimmarrjet e rëndësishme për Universitetin e Tiranës.

“Prof. dr. Artur Sula do t’i mungojë familjes, kolegëve, studentëve e miqëve të tij!
Në këto momente të rënda të dhimbjes e të pikëllimit, i përcjellim ngushëllimet më të thella
familjes dhe të gjithë të afërmve për këtë humbje të madhe e të parakohshme! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij”, u shpreh rektori prof. dr. Artan Hoxha.

Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shprehu trishtimin për lajmin.

“Ditë e trishtë për miqtë e kolegët e Artur Sulës – pedagogu i mirë dhe Dekani i Gjuhëve të Huaja, la pas shumë hidhërim për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta. Faleminderit për gjithë optimizmin, punën dhe kontributin si anëtar i nderuar i Këshillit Bashkiak të Tiranës”, u shpreh Veliaj.  /ata/ KultPlus.com

Të ngjajshme