Vejsiu: Italia më dha atë që më takonte, duhen penalitete ndaj bullizmit dhe shpifjes në rrjetet sociale

18 Shkurt, 2020 - 10:56 pm

Prezantuesja dhe sipërmarrësja Alketa Vejsiu në studion e Ilva Now në Euronews Albania rrëfeu eksperiencën e jashtëzakonshme gjatë prezantimit të Sanremos, teksa iu përgjigj edhe kritikave që vërshuan në rrjetet sociale në Shqipëri për prezantimin e saj.

Teksa iu referua titujve pozitivë në mediat italiane, prezantuesja tha se Italia i kishte dhënë atë që i takonte, gjithçka kishte ndodhur në mënyrë të natyrshme pa asnjë lloj menaxhimi nga pas.

“Tituj aq të ndryshëm dhe dashamirës janë vetëm rezultat i përjetimeve personale të gazetarëve italianë. Unë njoh vetëm mekanizimin e meritës dhe imponohen në një treg duke se unë vlej me krenarinë e një shqiptareje të barabartë me të gjithëve jo me stepjen e një shqiptareje që kujton gjithmonë se para 20 vitesh bashkëkombësit tanë iknin me gomone. Do ta them në çdo intervistë në Itali; Shqipëria jonë nuk është më ajo e gomoneve”, tha ajo.

Teksa iu referua vetëvrasjes së prezantuese së njohur britanike, Caroline Flack pas valës së kritikave dhe bullizmit në mediat sociale dhe tabloidë, Vejsiu bëri një paralele me Shqipërinë duke shprehur bindjen se aty ku tejkalohen kufijtë moralë dhe ka bullizëm, duhet patjetër të ketë penalitete të forta ndaj kujtdo.

“Liria jonë mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Sidomos kur je person publik. E kam thënë tek monologu i Jocker në festival. Jocker u vra nga sistemi, por edhe nga media. Të gjithë këta njerëz të papërgjegjshëm që iu është dhënë mundësia e fjalës, por nuk dinë ta përdorin siç duhet, gati-gati bëjnë një veprim kriminal.

Nuk është vetëm e turpshme, por është kriminale. Duhen sanksione, duhet të ketë ligje. Është kauza e Ciara Ferragni që njerëzit pas Instagram dhe Facebook duhet të kenë karta identitet, nuk mund të vazhdojë ajo lufta e profileve ‘fake’ që duan të intimidojnë njerëz që nuk ju kanë asnjë borxh dhe asnjë faj. Deri atje ku është kritikë dhe argument është e durueshme, është OK, patjetër që po.

Janë të mirëpritura argumentet. Por aty ku tejkalohen kufijtë moralë dhe ka bullizëm, duhet patjetër të ketë penalitete. Kjo është kostoja më e madhe kohës sonë. Do të kisha dëshirë ta nisja unë një betejë të tillë në Shqipëri. Kam një betejë shumë të madhe me ‘fake news’, është e rëndë, janë fjalë urgjente”, tha prezantuesja. /KultPlus.com

Të ngjajshme