Veliaj zbulon aktivitetet e përgatitura në kryeqytet në natën e ndërrimit të viteve

27 Dhjetor, 2022 - 11:45 pm

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka zbuluar aktivitet e përgatitura nga Bashkia e Tiranës për festat e fundvitit. Veliaj deklaroi nata e ndërrimit të viteve do të jetë një spektakël fishekzjarrësh, i koordinuar edhe me muzikë të mirë.

Ai tha në një intervistë në Tv Klan se pas Fifit, Eugent Bushpepës si dhe Venerës dhe Lindit, mbrëmja e 31 Dhjetorit do të sjellë në sheshin “Skënderbej” një grup të madh artistësh shumë të dashur për publikun.


“Ne filluam një sprint koncertesh. Kishim koncertin e Krishtlindjeve që patën në vigjilje të Krishtlindjeve, kemi pasur Gent Bushpepën, kemi pasur Fifin, Lindin dhe Venerën. Çdo natë do të kemi grupe artistësh. Derisa të shkojnë në natën finale ku do të kemi prapë një grup të madh artistësh. Besoj se surpriza për fëmijët siç ishin zbukurimet këtë vit me planete dhe me gjithësinë, do të jenë fishekzjarret. Kemi spektakël fishekzjarrësh të koordinuara me muzikë. Përtej gjithë vështirësive, ashtu si në shtëpi edhe kur kemi një situatë të vështirë, fëmijëve mundohemi të mos u biem në sy që po kalojmë një sfidë Për fëmijët duhet të rezervojmë një fundviti me shkëlqim dhe xixa. Sidomos për të dhënë një mesazh që i kemi kaluar vështirësitë bashkë dhe mot do të jetë më mirë. Thoshin gjyshet tona mendo mirë të bëhet mirë”, deklaroi Veliaj.

Ai u ndal te disa nga aktivitet që do të mbahen në kryeqytet vitin e ardhshëm që kur Tirana do të jetë “Qyteti Europian i Sportit”. Veliaj tha janë një mijë aktivitete që do janë parashikuar përgjatë gjithë vitit, duke përmendur kampionatin europian të gjithë universiteteve të Europës dhe kampionatin botëror të peshngritjes.

“Sërish aktivitetet sportive prodhojnë shumë ekonomi. Ndonjëherë e kam gjetur veten në një aktivitet sportive të tipit Kampionati Europian i Taekwondo-s nën 16. Dhe ti thua janë disa fëmijë që po bëjnë këto artet marciale. Dhe ti zbulon që janë 1600 fëmijë nga gjithë Europa, nga Islanda deri në Turqi. Kanë ardhur me prindërit dhe kanë zënë 2500 dhoma hoteli në Tiranë. Shumë gjëra që janë në dukje modeste prodhojnë ekonomi të jashtëzakonshme për qytetin. Janë 1 mijë aktivitete që kemi përgatitur. Do të kemi kampionatin europian të gjithë universitetet të Europës. Në të gjithë disiplinat. Një lloj mini olimpiade për universitetet. Do kemi kampionatin botëror të peshngritjes. Do të kemi disa evente të rëndësishme. Interesi kryesor nuk është as te imazhi i qytetit, që e kemi arritur tashmë, as te ekonomia. Ambicia kryesore është sporti në komunitet.

Rezultati ideal do të jetë një Tiranë që merret me sport. Sporti që na mëson karakter që në jetë ka dhe humbje, ka edhe fitore. Nëse qyteti ynë është fizikisht më i shëndetshëm do të jemi një qytet më i mirë vitin tjetër sesa jemi në fund të këtij viti”, deklaroi ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme