Vende të famshme nga librat, që vizitohen çdo ditë nga turistët

10 Dhjetor, 2019 - 7:35 pm

Përse qindra turistë vizitojnë çdo ditë ujëvarën Reichenbach në Zvicër? Sepse Sherlock Holmes ka vdekur aty. Pse shumë të tjerë vizitojnë rrugën “Cappello” në Verona të Italisë dhe bëjnë foto pafund? Sepse aty ndodhet ballkoni i Romeo dhe Xhulietës. Vetëm legjendë? Nuk ka rëndësi. Ja disa vende në botë, ku ndërthuren realiteti, historia, legjenda dhe kinematografia.

Verona, Itali – ballkoni i Xhulietës

Të dashuruarit më të famshëm të letërsisë? Pa dyshim që janë Romeo e Xhulieta. Kur vizitohet Verona, një ndër etapat e detyruara është shtëpia e Xhulietës, personazhi (i krijuar) i bërë i njohur në tragjedinë e William Shakespeare. Sot, në rrugën “Cappello 23”, muret e ndërtesës janë të veshura me letra dashurie dhe qindra turistë ndalojnë poshtë ballkonit të famshëm për të bërë foto. Dikur, shtëpia s’ishte fare e njohur, deri kur në vitin 1935, drejtori i një muzeu deklaroi se ajo ishte shtëpia e Xhulietës. Madje dhe ballkoni është shtuar më vonë. Në fakt, shtëpia e Kapuletëve nuk ndodhet në këtë zonë, por pranë lumit Adige.

Kronborg, Danimarkë – kështjella e Hamletit

“Të rrosh apo mos të rrosh” është një ndër frazat e njohura në të gjithë botën, që ka hyrë dhe në gjuhën e përditshme, e shkëputur nga “Hamleti”, e shkruar në fillim të viteve ‘600 nga William Shakespeare dhe e ambientuar në kështjellën Kronborg, në qytetin danez Helsingør. Ishte mbreti Frederik II që e ndërtoi kështjellën në vitet 1574-1585, në zonën ku Danimarka është më pranë Suedisë. Prej vitit 2000, fortesa është pjesë e Pasurisë së Unesco-s dhe vizitohet nga mijëra turistë, edhe pse nuk është shtëpia e princit danez, i biri i mbretit Hamlet. Gjithsesi, çdo verë, në oborrin e kështjellës zhvillohet një festival shekspirian.

Transilvani, Rumani – kështjella e Drakulës

Transilvania është sinonim i vampirëve dhe mistereve. Dhe një ndër zonat më të vizituara në Rumani është kështjella e Bran, njohur edhe si kështjella e Drakulës. Por, kështjella e vërtetë e Vlad III të Valakisë, i përshkruar në romanin e Bram Stoker si Konti, ndodhet në Poienari (në Valaki), ku sot janë vetëm rrënojat. Vlad ishte një personazh i dhunshëm, por edhe vampir, ose jo i vdekshëm, që kishte nevojë të ushqehej me gjak, falë dhëmbëve të mprehtë të qenit.

Londër, Britani – stacioni “King’s Cross”

Në librat dhe filmat “Harry Potter”, magjistarët e vegjël duhet të kalonin përmes murit te binari 9¾, në stacionin “King’s Cross” në Londër, për të shkuar në shkollën e magjisë “Hogwarts”. Në të vërtetë, nuk është kështu. Aty gjendet vetëm një tabelë dhe një karrocë për valixhe që është duke u zhdukur brenda murit. Dhe pas gjendet një dyqan që shet suvenire të magjistarëve.

Meiringen, Zvicër – ujëvara Reichenbach

I kishte ardhur në majë të hundës, nuk donte të shkruante më asnjë rresht për Sherlock Holmes dhe kështu shkrimtari Arthur Conan Doyle vendosi ta vdiste detektivin e famshëm, duke zgjedhur kantonin e Bernës si vend për aktin final. Në “The Final Problem”, Sherlock Holmes lufton me armikun e tij, profesor Moriarty, dhe të dy bien nga ujëvara Reichenbach, e lartë 120 metra dhe trupat nuk u gjetën më. Edhe sot e kësaj dite, fansat e detektivit vizitojnë vendin për “ta gjetur”.

Winchester, Britani – tavolina e rrumbullakët e mbretit Artur

Winchester ka qenë gjithnjë e lidhur me mitin e mbretit Artur. Sipas disa legjendave, ky qytet ishte në të vërtetë Camelot. Në Great Hall, salla e madhe e shekullit XIII, që dikur i përkiste kështjellës së Winchester, gjendet një riprodhim antik i tavolinës së rrumbullakët. Por, në fakt është thjesht legjendë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme