Vendet turistike para dhe pas koronavirusit

12 Prill, 2020 - 11:00 pm

Prej Romës deri në Moskë, zonat e njohura, rëndom të mbushura me turistë, tani janë të zbrazura, shkaku i shqetësimeve dhe izolimit nga koronavirusi që i ka mbajtur njerëzit të ngujuar. Roma, dikur qytet i hapur, tani është qytet fantazmë.

Numri i vdekjeve dhe infektimeve të përditshme ka rënë në Itali, por jo aq shpejt sa kanë shpresuar italianët e izoluar për më shumë se një muaj, raporton KOHA.

Numri i të vdekurve në Itali ka arritur në 19 mijë teksa të infektuar janë 152 mijë njerëz.

Greqia rastin e parë me virusin vdekjeprurës e konfirmoi më 26 shkurt dhe menjëherë anuloi të gjitha ngjarjet publike. Më 10 mars janë mbyllur shkollat, ndërsa 12 ditë më vonë qeveria vendosi për izolim total. Numri i të infektuarve në Greqi ka arritur në 2 mijë, ndërkaq kanë vdekur 92 persona.

Parisi është në heshtje totale që prej 17 marsit. Njerëzit janë të obliguar që të qëndrojnë në shtëpi së paku edhe 15 ditë. Franca ka 90 mijë të infektuar përfshirë 13 mijë të vdekur. Moska pjesërisht u izolua në fund të marsit. Banorëve u mundësohet të largohen nga shtëpitë vetëm për të blerë gjëra esenciale.

Rusia ka raportuar 1 mijë e 600 raste të reja me virusin vdekjeprurës, duke çuar në 13 mijë numrin total të të infektuarve. Numri i të vdekurve në shtetin rus është 106.

Rrugët e Berlinit janë të zbrazëta, teksa numri i rasteve të konfirmuarve është rritur në 2 mijë e 800 gjatë 24 orëve të fundit. Numri total ka arritur në 120 mijë.

Më shumë se 1.6 milion njerëz janë infektuar nga virusi në botë. Deri më tani, kanë vdekur mbi 110 mijë persona.

Virusi është konfirmuar në më shumë se 210 shtete dhe territore të botës që prej rasteve të para të konfirmuara në Kinë gjatë dhjetorit të vitit 2019.

Të ngjajshme