“Vendi më i humbur në Shqipëri”, fitues i edicionit të 12-të të “KoKo Fest”

7 Shtator, 2025 - 3:46 pm

Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë “KoKo Fest” përmbylli mbrëmë në Korçë në një atmosferë të jashtëzakonshme arti dhe emocionesh, edicionin e tij të 12-të.

Festivali ngjiti në skenë një program të larmishëm me shtatë shfaqje, ku morën pjesë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Italia.

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo tha se “nata përmbyllëse u pasurua nga një ekspozitë karikaturash të artistit Ardi Karanxha, ndërsa mbrëmja artistike u mbyll në skenë me shfaqjen “Komedia e Zezë” nga Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit, duke vulosur fundin e këtij edicioni të paharrueshëm”.

Shfaqja “Vendi më i humbur në Shqipëri” nga Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit u shpall fituese e këtij edicioni, duke rrëmbyer plot pesë çmime: shfaqja më e mirë, regjia më e mirë për Andia Xhungën, aktori protagonist më i mirë për Gentian Zenelajn, aktori i ri më i mirë për Aleks Seitaj, si dhe çmimin e publikut.

Fitues të këtij edicioni të “KoKo Fest” janë:

Shfaqja më e mirë – “Vendi më i humbur në Shqipëri”

Regjia më e mirë – Andia Xhunga

Çmimi i karrierës – Gëzim Kame

Aktori protagonist më i mirë – Gentian Zenelaj

Aktorja më e mirë protagoniste – Zamira Kita, Olta Daku, Egla Ceno

Aktori më i mirë joprotagonist – Ylber Bardhi

Aktorja më e mirë joprotagoniste – Liridona Bytyqi

Artisti i ri më i mirë – Aleks Seitaj

Artisti i ri më i mirë – Endri Çela

Çmimi i publikut – “Vendi më i humbur në Shqipëri”

Kostumografia më e mirë – Sofia Kara

Skenografia më e mirë – Beqo Nanaj

Çmimi FresKOKO – Shfaqja Zullulandia

Kryebashkiaku i Korçës, shprehu edhe një falëndërim për trupën pjesëmarrëse të teatrove dhe publikut, që sipas tij edhe këtë vit e shndërruan Korçën në kryeqytetin e humorit dhe të komedisë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme