Vendi me popullsi nomade, ku fosilet e dinozaurëve gjenden kudo

9 Maj, 2021 - 11:46 pm

Mongolia, me një sipërfaqe prej afro 1.6 milionë kilometrash katrorë, është një vend i paeksploruar dhe i mbetur pas në kohë. Ndonëse teknologjia ka ndikuar edhe në shoqërinë e mongolëve, shumë fshatra mbeten në dukje ende të paprekura, që nga periudha e Genghis Khan.

Të shkosh nga një krahinë në tjetrën duhen të kalosh në disa nga terrenet më të ashpra të planetit, për ditë të tëra. Vendi me dalje në det është i mbuluar kryesisht nga stepat, por gjithashtu mund të gjenden mrekulli të tilla si liqene, kanione, duna rëre dhe shkëmbinj të thepisur. Kësaj vështirësie të terrenit i shtohet edhe ekstremiteti i motit, nga acari i ftohtë arktik e deri te nxehtësia përvëluese e shkretëtirave. Ndonjëherë, të katër stinët mund të përjetohen në një ditë.

Me më shumë se një të tretën e tre milionë banorëve të saj që jetojnë si nomadë, Mongolia është një nga vendet e pakta ku vizitorët ende mund të përjetojnë një mënyrë jetese të mirëfilltë nomade dhe mikpritjen mongoliane. Ata i lënë gjithmonë dyert hapur për të lejuar hyrjen e çdo kalimtari që ka nevojë për ushqim ose pushim. Shumë mongolë ende ndjekin besime të lashta, dhe shpesh i drejtohen një “shamani”, ku individë të caktuar mendohet se udhëtojnë në një realitet tjetër për të komunikuar me shpirtrat dhe qeniet e tjera, për t’iu marrë bekime, shërim ose parashikime për të ardhmen e tyre.

Mongolia është, gjithashtu, vendi ku aventurieri amerikan, Roy Chapman Andrews, zbuloi vezë dinozauri të paprekura, midis gjetjeve të tjera të rëndësishme, në vitet 1920. Epiqendra e këtij zbulimi janë shkëmbinjtë Flaming, që konsiderohen si një nga vendet më të mëdha të fosileve të dinozaurëve në botë. Në vende të tjera, padyshim që një sit i tillë do të ishte mbajtur i rrethuar dhe larg vizitorëve, por jo në Mongoli. Turistët gjatë ecejakeve të tyre ndeshen me gjetje kockore të pazakonta, që për ekspertët, nuk janë gjë tjetër veçse fosile dinozaurësh.

Mes një shumësie mrekullish natyrore, traditave dhe historisë, Mongolia ofron një eksperiencë mbresëlënëse për të gjithë turistët që janë në kërkim të aventurave./a2/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme