Vendoset instalacioni që portretizon zhgënjimin dhe neglizhencën institucionale mbi çështjen e të pagjeturve

27 Prill, 2021 - 2:06 pm

Era Berisha

Zhgënjimi i vazhdueshëm për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të pagjetur, drejtësia e pa vendosur ndaj qytetarëve dhe familjeve të cilat ende jetojnë me shpresën dhe njëkohësisht edhe me ankthin për të dashurit e tyre që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ishte arsyeja që organizata ‘Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë’, sot ka zhvilluar një aksion rrugor për vendosjen e një instalacioni me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur në Sheshin ‘’Skënderbeu’’, shkruan KultPlus.

Ky instalacion shfaqte emrat e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë ku tash e 21 vite, Kosovës i mungojnë gjithsej 1,639 qytetarë. Ky zhgënjim është shprehur tash e sa vite nga familjarë të afërm dhe personat e dashur të të zhdukurve.

Prandaj sot, në shënimin e datës 27 Prill e cila konsiderohet si Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, vizitorë të shumtë patën rastin të shohin nga afër instalacionin i cili portretizoi zhgënjimin dhe neglizhencën institucionale mbi më shumë se dy dekada drejt çështjes së të pagjeturve që ka lënë në pritje të përditshme mbi 1000 familje kosovare.

Në këtë aksion rrugor, për të luftuar kundër mohimit të së drejtës për të ditur të vërtetën dhe pro të së drejtës për drejtësi për bashkëqytetarët dhe familjet e tyre, nga organizata jo-qeveritare ‘YIHRKS’ e pranishme ishte Marigona Shabihu e cila na tregoi më shumë rreth kësaj iniciative.

“Ne si ‘YIHR’, dy herë në vit në ditën kombëtare për personat e pagjetur dhe me 30 gusht në ditën ndërkombëtare për personat e zhdukur, organizojmë aksione të tilla rrugore me qëllim të informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut për zbardhjen e së vërtetës për personat e pagjetur por edhe vendosjes së drejtësisë. Ne kërkojmë përgjegjësi dhe seriozitet më të madh nga ana e institucioneve publike në mënyrë që këta 1,639 të iu rikthehen familjarëve të tyre”, tha për KultPlus Shabihu.

Sipas saj, në nivelin e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë, kjo çështje veçse është bërë njëra ndër çështjet kryesore por duhet të vazhdojë të jetë e tillë ku të kërkohet një bashkëpunim më i madh nga institucionet në shtetin e Serbisë që lokacionet e varrezave masive të zbulohen dhe përfundojnë proceset e nevojshme në mënyrë që plaga e hapur e familjarëve të mbyllet.

Ajo tutje ka folur edhe për vështirësinë e realizimit të këtij projekti për shkak të pandemisë Covid-19 dhe numrit të kufizuar të pjesëmarrësve.

“Normalisht që këto aktivitete janë vështirësuar pak, por ne jemi bërë së bashku edhe me organizata të tjera që së bashku të dërgojmë një mesazh duke ngritur vetëdijen e publikut që kjo çështje nuk është vetëm përgjegjësi individuale por edhe kolektive, prandaj duhet dhënë kontributi i secilit sado i vogël të jetë”, thotë Shabihu.

Për Shabihun, këto aktivitete shprehin një lloj përkrahje në mënyrë që të gjithë të bashkëndjenjë me dhembjen, terrin dhe ankthin në të cilën gjenden familjarët.

“Sado pak t’i përkrahim familjarët duke iu treguar se ne jemi me ta si shoqëri, i mbështesim dhe që sigurisht nuk do të harrohen por janë dhe do të mbeten pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe kujtimeve tona kolektive.”

Sot në ora 20:00, ‘YIHR’, së bashku me organizata të tjera si: HLC, Forumi ZFD, KRCT dhe disa të tjera ka bërë thirrje që sonte publiku në një formë përkrahje t’i ndalin dritat në shtëpitë e tyre për 5 minuta. / KultPlus.com

Të ngjajshme