“Vera e Ohrit” pa kulturë shqiptare, një tjetër dëshmi e përjashtimit sistematik

14 Korrik, 2025 - 9:31 am

Këtë vit, manifestimi shtetëror “Vera e Ohrit”, i financuar nga institucionet publike të vendit, po zhvillohet pa asnjë përfaqësim të kulturës shqiptare në programin zyrtar. Në një shtet ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë dhe të jetës kulturore, përjashtimi i plotë i çdo elementi shqiptar nga një festival kombëtar është i papranueshëm dhe shqetësues.

Programi zyrtar i “Verës së Ohrit” përfshin koncerte, shfaqje teatrore dhe mbrëmje të veçanta kushtuar kulturave evropiane, por asnjë ngjarje muzikore, teatrale apo ekspozitë nuk përfaqëson trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare. Kjo heshtje kulturore është në vetvete një mesazh përjashtues dhe dëshmi se qasja ndaj kulturës shqiptare në institucionet shtetërore nuk është përfaqësuese, por margjinalizuese.

Ironikisht, festivali u hap në prani të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, por as kjo nuk mjaftoi që organizatorët të reflektojnë mbi përfshirjen e gjuhës dhe kulturës shqipe në program. Jo vetëm që nuk ka asnjë përfaqësim të artistëve shqiptarë, por mungon plotësisht çdo pikë që do pasqyronte identitetin, traditën apo krijimtarinë bashkëkohore shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kultura shqiptare është dhe duhet të jetë pjesë e natyrshme e çdo ngjarjeje kulturore të nivelit kombëtar. Mungesa e saj në një manifestim të tillë nuk është çështje organizative, por tregues i një politike përjashtuese që po zë rrënjë në sistemin institucional të kulturës./ KultPlus.com

Të ngjajshme