Vera Haliti, shqiptarja që ndërtoi urë komunikimi për shqiptarët në Slloveni

21 Qershor, 2021 - 4:59 pm

Gazeta prestigjoze “Delo”, i ka kushtuar një artikull shqiptares Vera Haliti, e cila nëpërmjet punës së saj ndihmon në integrimin e emigrantëve shqipfolës në Slloveni.

Vera së fundmi kaloi edhe provimin për t’u bërë ndërmjetësuese kulturore për komunitetin shqiptar. Sikurse u shpreh në intervistën e dhënë për Delo-n, Haliti u angazhua për marrjen e këtij pozicion për të kontribuar në ndihmë të grave dhe fëmijëve shqiptarë, të cilët jo pak herë, prej paragjykimeve, kalojnë eksperienca jo të këndshme në vendet ku emigrojnë.

Vera Haliti, nga Bulqiza, prej rreth dy dekadash jeton në Celje të Sllovenisë. Ajo është njohëse shumë e mirë e gjuhës sllovene, përkthyese ligjore, por edhe mësuese e angazhuar që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën sllovene dhe të realizojnë sa më shpejtë integrimin e tyre në shoqërinë sllovene.

Haliti është një veprimtare shqiptare me vlera. Ajo është ndër drejtueset e kurseve dhe projekteve integruese për vajzat dhe gratë shqiptare në Slloveni. Së fundi, Vera Haliti është përfshirë në debatin publik të integrimit të diasporës shqiptare në Slloveni. Ajo nuk heziton të pranojë shqetësimet në këtë aspekt. Por, ajo ka kurajon të shprehet publikisht se shqiptarët e duan të renë, e kuptojnë dhe e dëshirojnë integrimin./ KultPlus.com

Të ngjajshme