“Veshëm frakun, harruam brekët”

2 Shtator, 2020 - 10:26 am

Ironia në mes të jetës luksoze të aristokratëve dhe asaj pa kushte elementare të tiranasëve ishte bërë temë e një reportazhi për Shqipërinë, botuar nga gazeta “Kosova”, shkruan KultPlus.

 Ishte shkrim i shkruar nga Gjergj Bubani i cili mbante titull të realitetit të shprehur figurativisht, “Veshëm frakun, harruam brekët”, botuar më 5 janar 1932.

KultPlus ua sjell një fragment nga reportazhi, publikuar nga Beti Njuma dhe Biblioteka e Librave të Harruar në Facebook:

“Tirana ka bulevarde të gjera dhe sheshe simetrike, por nuk ka kanalizim, nuk ka ujë të mirë dhe të mjaftë dhe asnjë banjë moderne komunale për t’u larë mileti. Dhe në Tiranë tetë muaj në vit bën vapë, ashtu që nevoja e së larës paraqitet edhe më e madhe. Aristokratët lahen nëpër shtëpitë e tyre ose në të dy-tri hotelet e mëdhenj. Po populli? Në veprimin edilitar të Tiranës gjejmë pasqyrën e gjallë të një mentaliteti që është rrënjosur ndër ne; të gjitha punët i bëjmë për cipë, superficialisht. Edhe qytetërimin në këtë mënyrë e përqafuam: me bulevarde, elektrik, pallate, pa kanale, pa ujë, pa banjë. Shkurt: U veshëm me frak dhe këmishë mëndafshi, por harruam të ndërrojmë brekët!” /KultPlus.com

Të ngjajshme