Vetëdijësimi për ruajtjen e natyrës përmes artit, hapet në kuadër të RLIOF ekspozita ‘Rrnofsh sa malet’

23 Korrik, 2023 - 10:43 am

Në kuadër të festivalit ‘Ramë Lahaj International Festival’, të premten në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë u hap ekspozita ‘Rrnofsh sa malet’, ekspozitë kjo që ka për qëllim ruajtjen e natyrës, shkruan KultPlus.

Piktura të ndryshme që u ekspozuan në këtë ambient, të kuruara nga Ovul Durmusoglu dhe bashkë-kuratorë ‘The Balkan Artists Guild’ sollën në mënyrën më të mirë të mundshme rëndësinë e natyrës dhe betejën e saj me përfituesit e shkatërruesit që përveç që kanë zaptuar këto prona, kanë lënë pasoja të pashlyeshme në shterrimin e burimeve të ujit, dëmtimin e florës e faunës, deri te ato më identifikuese për popullin shqiptar.

Tendenca për të sjellë një vetëdijësim për ruajtjen e kësaj pasurie të madhe të vendit përmes artit, kishte bërë bashkë shumë artdashës dhe adhurues të natyrës, që kishin mbushur plot hapësirat e kësaj galerie.

Ndërkaq, në hapjen e kësaj ekspozite që i parapriu hapjes së festivalit RLIOF, i pari fjalën e mori vetë Ramë Lahaj, kreu i këtij festivali, i cili falënderoi ata që e sollën këtë ekspozitë dhe të gjithë të pranishmit për prezencën.

“Faleminderit shumë që keni ardhur, faleminderit të gjithëve për kontributin. Nuk mund ta anashkaloj pa bërë disa falënderime duke filluar nga kuratorja e cila pavarësisht kushteve dhe vështirësive që kemi ka ardhur me neve që të na ndihmojë e suportojë dhe që solli një punë kaq të bukur”, u shpreh Lahaj, i cili më tutje falënderoi të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e këtij festivali.

Më pas fjalën e mori kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili në fjalimin e tij i falënderoi dhe përgëzoi të gjithë ata që u përkujdesën në realizimin e kësaj ekspozite.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në hapjen e ekspozitës ‘Rrnofsh sa malet’. Natyra është esenca e jetës, natyra është liri, është pjesë e jona. Le të bëhemi pjesë e përjetësisë së pikturave të piktorëve kosovarë”, tha kryetari Rama.

Fjalën e mori edhe Indira Kartallozi, e cila përveç për artin foli edhe për rëndësinë e përmirësimit të sjelljeve ndaj mjedisit.

“Është e mrekullueshme t’ju shoh secilin prej jush këtu, por më e rëndësishme se kjo është ta kuptojmë një pjesë kryesore të artit që ne po punojmë, e që është shumë e lidhur me malet dhe të cilën ne nuk e quajmë ‘Rrnofsh sa malet’, por e quajmë ‘Mos e harro malin’”, e cila më tutje, u shpreh se me punën e sa dëshiron të sjellë sa më shumë ndryshim në Kosovë dhe vetëdijësim për përmirësimin e sjelljeve ndaj mjedisit.

Në vijim fjalën e mori fotografi Arian Marvriqi i cili foli për eksperiencën e tij në punën si fotograf i botës së egër.

“Unë jam fotograf dhe dokumentues i botës së egër. Deri më sot kam arritur të dokumentoj rreth 200 shpezë në territorin e Kosovës, 11 prej tyre janë për herë të parë të ekspozuara në të dhënat shtetërore të Kosovës. Si fëmijë jam rritur në lumin e qytetit të Kamenicës dhe aty për herë të parë kam parë se çka është popullsia e maleve dhe lumenjeve të Kosovës, mijëra shpendë shtegtarë dhe joshtegtarë përfshirë edhe gjitarët ushqeheshin në atë lumë që ishte i pasur edhe me specie nënujore. Ndërkaq, në qiellin e Evropës çdo ditë shtegëtojnë 50-60 miliardë shpendë shtegtarë”, u shpreh Mavriqi i cili më tutje theksoi rëndësinë e maleve në strehimin e shpendve, e si rezultat edhe të funksionimin e botës në përgjithësi.

E krejt në fund, foli edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schëars, e cila përshëndeti organizatorët për këtë ekspozitë shumë të rëndësishme rreth mjedisit ku jetojmë dhe aktivitetet e tjera të organizuara në kuadër të Festivalit Rame Lahaj International Opera Festival dhe ka falenderuar veçanërisht tenorin Ramë Lahaj për kontributin e tij në jetën kulturore të vendit.

“Unë nuk dua t’ju ndaj më tepër nga shikimi i këtyre pikturave, nuk dua t’ju nda nga bisedat tuaja. Unë mendoj që gjithë ajo energji që i karakterizon qytetarët e këtij qyteti gjatë stinës së verës, kur Prishtina është një prej qyteteve më ndërkombëtar në të gjithë botën, por vërtet, shqiptarët nga e gjithë bota mblidhen për të kaluar pushimet e verës dhe për të shijuar artin dhe kulturën që ofrohet gjatë këtyre muajve”, theksoi ministrja Gërvalla e cila më tutje vlerësoi lart punën e festivalit RLIOF në pasurimin e kulturës në vend.

Ndërkaq, sonte do të fillojë festivali ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, ku do të mbahet koncerti ‘Gala Night Rame Lahaj & Friends’./ KultPlus.com

Të ngjajshme