29 Qershor, 2025 - 4:43 pm
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Via Ferrata e parë në Shqipëri e cila ndodhet në fshatin Kuç dhe frekuentohet nga turistë të shumtë të apasionuar pas hikung-ut.
“Përveç detit ka dhe kështu si në Kuç”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Via ferrata e parë në Shqipëri ndodhet në fshatin Kuç, në rajonin e Himarës, dhe quhet Via Ferrata Himarë.
Ajo u zhvillua me mbështetjen e Platformës së Inovacionit në Turizëm (TIP).
Projekti u zbatua nga Çeta Hiking pasi ata fituan vendin e parë në një konkurs për ndërtimin e via ferratës.
100 metrat e parë të këtij shtegu janë financuar nga GIZ, si dhe 150 metra shtesë u financuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Përmes një Memorandumi Mirëkuptimi mes GIZ, FSHZH dhe Bashkisë Himarë, ky produkt i ri po bëhet realitet.
E vendosur në një zonë ende të pashfrytëzuar e të paprekur nga turizmi, Via Ferrata në Kuç do të krijojë një eksperiencë unike përpara se turistët të zbresin drejt bregdetit jugor.
Ky zhvillim jo vetëm që diversifikon ofertën turistike në rajon, por gjithashtu krijon mundësi të reja ekonomike për banorët lokalë dhe operatorët turistikë, duke i dhënë zonës një dimension të ri tërheqës për vizitorët dhe aventurierët.