Viktor Gjika, regjisori i shquar i kinematografisë shqiptare

23 Qershor, 2025 - 11:06 am

Më 23 qershor të vitit 1937 lindi në Korçë regjisori i shquar Viktor Gjika.

Studimet e larta i kreu në Moskë, ku studioi së bashku me Dhimitër Anagnostin, për kinooperator. Së bashku ata kryen temën e diplomës, filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejit, me të cilin fituan Çmimin e Madh në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, në vitin 1961.

Pas rikthimit në atdhe, Viktor Gjika u shfaq në cilësinë e regjisorit dhe skenaristit. Ai do të mbahet mend për disa nga filmat më me peshë të kinematografisë shqiptare si: “I teti në bronz”, “Yjet e netëve të gjata”, “Rrugë të bardha”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”, “Komisari i dritës”, “Përballimi”, “Në çdo stinë” e shumë të tjerë.

Gjika lëvroi edhe zhanrin e dokumentarëve, ku hera-herës shkruante edhe skenarin ose bënte kinooperatorin. Gjatë gjithë karrierës realizoi rreth 15 filma artistikë dhe 25 dokumentarë. Për vlerat artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze, në vitin 1977 iu dha titulli “Artist i Merituar” dhe në 1985 “Artist i Popullit”.

U nda nga jeta më 3 mars 2009. Në vitin 2021 Viktor Gjika u vlerësua (pas vdekjes) me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributet dhe meritat e jashtëzakonshme në kinematografinë shqiptare si operator, skenarist, regjisor e drejtues i spikatur dhe elitar i ish-Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Në vlerësim të vlerave kinematografike shqiptare që krijoi, si dhe përfaqësimit dinjitoz në ekranet botërore, duke ua përcjellë me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, dashurinë dhe pasionin për filmin edhe brezave të rinj”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme