Vilë romake me mozaikë nën themele, Gonxhja: Riprojektohet nga arkitekt spanjoll shkolla ‘Gjergj Kastrioti’

20 Korrik, 2025 - 4:58 pm

Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të dekadave të fundit është evidentuar në Durrës, në zonën ku po rindërtohet shkolla “Gjergj Kastrioti”.

Bëhet fjalë për një vilë romake me mozaikë me motive gjeometrike, struktura muresh dhe materiale të tjera arkeologjike me vlera të jashtëzakonshme.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se menjëherë pas zbulimit, është hartuar Raporti i Gërmimit Arkeologjik të Shpëtimit nga arkeologu prof. Luan Përzhita, që i hapi rrugën konservimit dhe studimit të detajuar të gjetjeve.

“Kjo vilë romake përfaqëson një pasuri të rrallë për trashëgiminë kulturore të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, dhe krahasohet për cilësi me ato të zbuluara në Italinë jugore dhe qendrore”, tha Gonxhja.

Për të ruajtur dhe promovuar këtë pasuri, arkitekti spanjoll Toni Gironès është angazhuar në riprojektimin e shkollës, duke ndërtuar një koncept ku ndërthuren edukimi dhe trashëgimia. Projekti i ri do të mundësojë ekspozimin publik të gjetjeve, duke i integruar ato në infrastrukturën e shkollës.

Ky është një model unik zhvillimi që synon transformimin urban dhe arsimor të qytetit, si dhe promovimin e turizmit kulturor.

Institucionet shqiptare, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin e Arkeologjisë dhe Bashkinë e Durrësit, do të ndjekin nga afër dokumentimin, mbrojtjen dhe përfshirjen e gjetjeve në projektin e ri.

“Ky është një shembull konkret i vizionit për zhvillim të integruar urban, edukativ dhe turistik”, përfundoi ministri Gonxhja./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme