Vizitorë të shumtë për ekspozitën “Kujtesa e Mesdheut” në Bibliotekën Kombëtare

23 Qershor, 2025 - 2:30 pm

Turistë të huaj e vendas, fëmijë e të rritur kanë vizituar përgjatë javës që lamë pas ekspozitën “Kujtesa e Mesdheut”, nga koleksionet e Bibliotekës Kombëtare.

Nga Kurani më i vjetër, tek Biblat në hebraisht e latinisht; nga Aristoteli e Odiseja, në greqishten e vjetër me përkthime të tyre ndër shekuj; nga hartat e para, deri te ditarët e udhëtimeve, koleksionet e Bibliotekës Kombëtare mbajnë thesare të cilat mezi presin të ekspozohen e të mahnisin këdo që i sheh.

E vendosur në zemër të Tiranës, ekspozita të josh ta vizitosh, të shkrepësh foto e të frymëzohesh për historinë, kulturën, gjuhën e letërsinë e këtyre popujve që i bën bashkë Deti Mesdhe.

“Kujtesa e Mesdheut – nga antikiteti në kohët moderne”, një udhëtim mbresëlënës nëpër fondin e pasur të Bibliotekës Kombëtare, i paraqet publikut mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV, deri në XIX, ku përfshihen libra, dorëshkrime, harta e gravura.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 18 korrik, nga ora 9:00 deri në 20:00./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme