Vjosa Osmani pezullon punën si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës

6 Shkurt, 2020 - 2:27 pm

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e gatshme të pezullojë punën e saj si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.

Pas mbledhjes së parë të kryesisë së re të Kuvendit, Osmani është shprehur në një konferencë për media se do të fokusohet vetëm në punën si kryeparlamentare.

“Natyrisht që unë do ta dërgoj kërkesën për pezullim në universitetin ku ligjëroj. Personat që mbajnë pozita të zyrtarëve të lartë mund të bëjnë kërkesë për pezullim gjatë asaj periudhe. Gjatë këtyre katër viteve unë do të fokusohem në tërësi vetëm dhe vetëm në punën time në Kuvend, sado që studentët do të më mungojnë shumë”, ka thënë Osmani, teksa ka refuzuar të komentojë nëse deputetët e tjerë apo ministrat duhet të veprojnë ngjashëm.

“Për kolegët tjerë mund t’i pyesni individualisht secilin. E di se disa prej tyre janë ministra, kurse për deputetë të tjerë s’jam e sigurt kush mban pozita të ligjëruesve”. / KultPlus.com

Të ngjajshme