займ на карту онлайн потребительский кредит

Vjosa Osmani: Qytetarët e kanë humbur besimin në Kuvendin e Kosovës

28 Tetor, 2020 - 4:52 pm

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot një ligjëratë në temën “Parlamentarizmi dhe sfidat aktuale”, për studentët e AAB-së ku foli për çështje të rëndësishme me të cilat ballafaqohet organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i Republikës së Kosovës.

Sipas Osmanit, në vitet e 90-ta, Kuvendi i Kosovës i cili doli nga zgjedhjet e sistemit paralel, të ndërtuar nga Presidenti Ibrahim Rugova, nuk ishte vetëm organ ku diskutoheshin vetëm idetë siç ndodh sot. Parlamenti në atë kohë më shumë ishte rezistencë ndaj pushtuesit, ishte rezistencë ndaj Serbisë, ishte rezistencë ndaj një regjimi gjenocidal, tha Osmani derisa theksoi se në ditët e sotme qytetarët e kanë humbur besimin në Kuvendin e Kosovës, për disa arsye.

“Për shkak se pikërisht që për vite të tëra Parlamenti i Kosovës është konsideruar vetëm si vulë që vulosë vendime të qeverisë, shumë prej qytetarëve e kanë humbur besimin në të. Sepse nuk e kanë parë si një vend ku bëhet kontrolli, ku bëhet mbikëqyrja, pra ku shërben si një lloj filtri si një lloj kontrolluesi në qoftë se ato vendime janë të mira apo jo. Pra kjo është një ndër sfidat që na kanë përcjellë ndër vite dhe është një prej çështjeve që përmendet në shumicën dërmuese të raporteve të Komisionit Evropian.” – shtoi mes tjerash, Osmani.

Sipas Osmanit një parlament i fuqishëm duhet ta ketë pavarësinë buxhetore, dhe se Qeveria nuk mundet t’ ia caktojë buxhetin parlamentit, e ky sipas saj është presion buxhetor.

Kryeparlamentarja tha se ka pasur tendenca që Kuvendi të mos përzihet në çështjen e pandemisë, ku për katër muaj janë bllokuar iniciativa ligjore të inicuara nga ajo dhe deputetë të tjerë. “Sfida më emergjente është pandemia. Siç e dini ka pasur tendenca të thuhet se Kuvendi nuk ka fare kompetenca të përzihet tek çështja e pandemisë, dhe për katër muaj është bllokuar një iniciativë ligjore që e patëm iniciuar, unë si kryetare me disa deputetë tjerë”- ka thënë mes tjerash kryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja Osmani ka folur edhe për zhvillimet aktuale politike, ku theksoi se dialogu Kosovë – Serbi është një tjetër temë që po ia harxhon energjinë institucioneve të Kosovës.

Ndërsa, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani e sheh si një vendim të rrezikshëm për vendin: “Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe mendoj që është një prej vendimeve më të rrezikshme që është marrë nga institucionet e Kosovës. Një autonomi për serbët në Veri, është vetëm një paralajmërim i ndarjes së mëvonshme, nuk është një ide më e mirë se ndarja. Është po aq e rrezikshme, thjesht e shtynë për më vonë.” – tha kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Në ligjëratën e sotme, e cila u përcoll edhe me një seancë diskutimesh me studentë, kryetarja Osmani ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës ka filluar punën për një Rregullore të re të Kuvendit./ KultPlus.com

Të ngjajshme