Vlora hap sezonin turistik 2025, Dredha: Aktivitete edhe në muajt në vijim

18 Maj, 2025 - 11:32 am

Nën ritmet e muzikës, këngëve dhe valleve, si edhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të disa prej artistëve më të njohur shqiptarë dhe grupeve të huaja artistike, qyteti bregdetar i Vlorës çeli dje zyrtarisht, sezonin turistik 2025.

Në një koncert madhështor, ku performoi këngëtari Ylli Limani, por edhe grupe artistësh nga e gjithë bota, qytetarë të shumtë, turistë të huaj, por edhe artdashës ishin të pranishëm në shëtitoren në Lungomare ku ishte ngritur edhe skena e koncertit.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, u shpreh se aktivitetet hapëse të sezonit turistik nisin me “Miss Summer World”, ku përpos koncertit madhështor i cili u mbajt të shtunën në mbrëmje, janë parqshikuar edhe plot aktivitete të tjera përgjatë gjithë Lungomares.

“Ndaj, mos mungoni, eja të gjithë të bashkohemi dhe të festoni me ne”, tha Dredha.

Në Vlorë, turizmi gjithëvjetor është karakteristikë kryesore e zhvillimit të këtij qyteti bregdetar, ku vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj shijojnë kulinarinë e qytetit bregdetar, por edhe peizazhet e mrekullueshme të Labërisë.

Edhe ditën e sotme, në Vlorë do të vazhdojnë aktivitetet artistike në kuadër të çeljes zyrtare të sezonit turistik për këtë vit, ndërsa pjesë e ofertës turistike janë edhe muzetë, kultura, kulinaria dhe tradita në të gjitha dimensionet e saj.

Koncerti i mbrëmjes së djeshme kulmoi me një spektakël të jashtëzakonshëm fishekzjarresh, ndërsa surpriza të tjera i presin sot qytetarë vlonjatë dhe turistët e shumtë që ndodhen në këtë qytet bregdetar./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme