Von der Leyen viziton sot Kosovën

30 Tetor, 2023 - 10:07 am

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të qëndrojë sot në Kosovë, si pjesë e turit të saj katërditor në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Gjatë kësaj vizite, Von der Leyen do të zhvillojë takime me kryeministrin dhe presidenten e Kosovës.

Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd. Atje ajo do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me kryeministren, Ana Brnabiq.

Presidentja e KE-së thuhet se do të mbajë konferenca për shtyp gjatë të gjitha vizitave të saj dhe ato do të transmetohen në EbS .

Gjithashtu, Policia e Kosovës thotë se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizitë do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në vendin tonë.”

Në njoftim thuhet se gjatë mesditës do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut nga aeroporti në drejtim të kryeqytetit dhe afër objekteve shtetërore, si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës gjatë mesditës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit dhe afër objekteve shtetërore, si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.” / KultPlus.com

Të ngjajshme