22 Maj, 2025 - 8:00 pm
Zvërneci, 14 km larg qytetit të Vlorës, është kthyer vitet e fundit në një ndër pikat turistike më të vizituara në vend.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa foto nga Alexander Uhrin nga Sllovakia, i cili u prezantua në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania 2” dhe është një nga fituesit e çmimit “Ambasador në Promovimin e Turizmit Shqiptar”.
Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.
Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.
Disa prej tyre ishin edhe imazhet e fotografit sllovak, Alexander Uhrin, i cili zgjodhi promovimin e Zvërnecit, një nga destinacionet natyrore që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë e tij unike.
Pas investimeve të fundit dhe ndërtimit të urës, turistë të shumtë zgjedhin të kalojnë në çdo stinë ditët me diell në ishullin e bukur, brenda Lagunës së Nartës.
Përveç bukurisë natyrore që Zvërneci ka, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit. Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit./atsh/KultPlus.com