6 Korrik, 2025 - 7:55 pm
Emrin e Ballsor Hoxhës, për herë të parë, e kam hasur në ExLibris, ku ai tashmë është një kontribues i rregullt dhe gjerësisht i pëlqyer. Që në fillim, më pati bëri përshtypje thellësia e mendimit, njohuritë josipërfaqësore, si dhe ndërthurja e fjalës që përshkonte çdo kontributin të tijin në këtë botim periodik. Fillova ta përcjell me ëndje, pasi shkrimet ‘shijonin’ dhe nxisnin mendimin, si ndodh me autorët cilësorë dhe të ditur. Pra, me një qasje, dukshëm, perëndimore në mbrujtje, artikujt e Ballsorit nuk ishin rastësisht të mira; ato përmbushnin standardet bashkëkohore të studimeve letrare.
Edona Llukaçaj
Vlerësimi për Ballsor Hoxhën m’u shtua kur lexova dy romanet “Përbri jetës” (2025, Onufri) e “Bora dhe unë” (2024, Onufri), si dhe përmbledhjen “Ish-gruaja ime është piktore” (ende dorëhshkrim), tregimet e së cilës janë më mbresëlënës se titulli (e një pjesë të të cilave pata shansin të përkthej e mezi pres të botohen në gjuhën angleze). Ndryshe nga shumica dërrmuese e atyre që prodhojnë studime të arritura letrare, Ballsor Hoxha e ka edhe letërsinë krijuese mjaft cilësore. Nuk i përkiste kategorisë së atyre që qëllon dhe sjellin diçka të kënaqshme një herë në sa kohë apo kategorisë së atyre që me mirësjellje i quajmë të talentuar dhe shkruajnë, si i bien adoleshentët ndonjë vegle muzikore, me vesh. Për këtë u binda kur lexova përmbledhjen me shtatë novela “Sytë e zinj të Borës” (2025). Ashtu si u binda se – pak rëndësi ka nëse përmes përkthimit tim a jo – letërsia e B. Hoxhës, me doemos, të përkthehej në të ashtuquajtarat gjuhët e mëdha të botës, si një mënyrë përfaqësimi e spikatur e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Sidomos “Borërat” e tij, që janë tjetërsoj e prap njëlloj ngrirëse sa “Bora” e nobelistit O. Pamuk, të cilit Ballsori i referohet jo rrallë. Ndoshta prej faktit se si letërsia e Pamukut, që është e ngulur thellë në vendin e tij të lindjes, edhe motivet e B. Hoxhës, veçanarisht në përmbledhjen “Sytë e zinj të Borës” janë thellësisht shqiptare. Madje do guxoja të thoja, fort prishtinase. Në këto novela krijuar përgjatë një dekade, herë dimrash që hedhin borë mbi çadra të zeza e herë verës zhuritëse, Ballsori e shoqëron lexuesin e vet në rrugët e Prishtinës. E çon gjithandej, por qëllimshëm eviton të lavdishmen dhe (post)luftën. E çon në lagjet më pak pompoze, në hotele të veçuara, në bar-kafene ku shërbejnë kamarierë që tërheqin veç vëmendjen e tij, në varreza, në qendra që nuk duam të na bie rruga, në katet përdhese të ndërtesave të braktisura. E çon në skutat e qytetit dhe të njeriut urban të ditëve tona, me një tregimtari dhe stil postmodernist në shumë aspekte.
Po si Pamuku, në këtë mënyrë, B. Hoxha i jep letërsisë së vet një tjetër dimension; e bën atë pjesë të një lëvizjeje në thelb perëndimore (postmodernizmi është një lëvizje dhe qasje veçse Perëndimore, ende me ndikim në shekullin XXI-të); dhe, kështu, arrin të krijojë ura mes vendases/lokales dhe botës, duke ngulmuar për mbijetesë dhe dinjitet. Spiranca të qënies sonë, shpesh të dobët.
Me fjalë të tjera, B. Hoxha, dukshëm ndjek me fanatizëm atë që Kadare e përkufizonte si “të shkruash letërsi normale në një vend anormal”. Po ashtu, edhe Ballsori përpiqet të shkruajë letërsi bashkëkohore, në përputhje me dinamikat dhe trendet përtej trojeve shqipfolëse, në gjuhën e një populli që – qoftë këtej a andej kufirit – viktimizimin e ka të shenjuar në gjene. Kjo bashkërenditje letrare është ndoshta elementi më i rëndësishëm që përshkon librat e tij, të cilët po bëhen gjithnjë e më të guximshëm e po thonë gjithnjë më shumë. Veçanarisht përmbledhja e novelave, botuar rishtazi, mund të karakterizohet pa droje si një mozaik letrar pa squllje e filtra. Në këtë libër, autori sjell në vëmendje një sërë temash tabu që, haptazi, shoqëritë në zhvillim, sidomos e jona, kanë tendencën t’i fshehin, të bëjnë kinse se nuk janë aty. Si duket, besojmë se kështu do dukemi më bukur, do jemi më të pranueshëm, më të dashur, duke harruar se kjo na bën të huaj me veten dhe botën që na rrethon. Dukemi si fotot e riformësuara a deformuara që disa vendosin në rrjete sociale, që duket se shfaqin gjithçka por, sigurisht, jo ata vetë.
Për më tepër, Ballsori e bën edhe këtë me terma tabu: me një gjuhë që shumë do e quanin vulgare, të papërshtashme, të panevojshme, bezdisëse e kështu me radhë. Shpesh e ndërmarrë përmes një ironie therëse dhe humorit të zi (black humor), në sytë e mi, tronditja e lexuesit është një prej taktikave të Ballsorit për të rrëmbyer vëmendje, për të çmitizuar, si një thirrje (në fakt, çjerrje) që na bën të arsyetojmë dhe reflektojmë dhe kërkon minimalen empati për të palavdishmit në rutinën, rënien dhe rikthimin e vet. I tiji është arti i ferrit, që nuk kursen as qefinin e gjyshit, as domatet (patlixhanat), as virgjëreshat, as të përdalat, madje as veten.
Për të ilustruar këtë dimension të novelave të tij po sjell pasazhin e mëposhtëm nga novela “Të duash”:
E ti, prapë po të pyes: a ke frikë? Megjithëse e di se ka raste kur të gjithë të dhunojnë, si të gjymtin, të pafjalin, të palëvizshmin në kufi të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, dhe në këtë të gjithë kënaqen me të dhunuarit ty, si ata policë maqedonas, megjithëse e di që edhe dhunimi është i kalueshëm, dhunim i kalueshëm, megjithatë kam frikë dhe shpresoj kurrë të mos kthehet, si që është varësimi nga heroina dhe të varësuarit tënd nga tjetri pikërisht në heroinë. E ti: derisa përqafon fëmijën tënd, ti derisa adhuron mjekrën e babait tënd dhe mendon si do ta bëje pallto, ti derisa djali ta ka blerë edhe një shtëpi, ti derisa u këndon miliona njerëzve, ti derisa mbanë fjalim, ti derisa gjuan molotovin e radhës, ti derisa je duke vdekur nga kanceri, ti derisa je duke lindur, ti derisa je duke lexuar, a ke frikë? (fq. 245-6)
Prandaj, Ballsor Hoxha mua më kujton Brunon e Encanto, filmit të animuar të Disney-t të vitit 2021. Një prej këngëve të këtij filmi titullohet “We don’t talk about Bruno” (Ne nuk flasim për Brunon), e cila u bë më e famshme se filmi. Në fakt, konsiderohet kënga më e famshme në mesin e të gjithë kolonave zanore të filmave të Disney-t deri më sot. Fama e saj, me sa duket, nuk lidhet vetëm me ritmin. Teksti, veçanërisht refreni duket se shfaqë në mënyrë të goditur natyrën njerëzore.
Prej kësaj kënge, në mbarë botën, “Bruno” është kthyer në simbolin e sekreteve dhe të pathënave në familjet tona, që dihen nga të gjithë por gjoja nuk i flasin dhe kinse i harrojnë. Bruno është simboli i çdo çështjeje që njerëzit shmangin ta trajtojnë, çdo problemi të paadresuar që, megjithatë, me kokëfortësi e bën të ndihet prania e tij. Bruno është, gjithashtu, çdo sukses i anashkaluar, çdo mundësi e humbur.
Në Encanto, Bruno është anëtari i ditur i familjes që nuk e harron të kaluarën dhe mund të parashikojë të ardhmen – një version kolumbian i Kassandrës, do thoja. Kjo është arsyeja pse fjalët e tij na shqetësojnë, prishin status quo-në, trazojnë qetësinë dhe paqen e imagjinuar, bezdisin bekimin fluid që fal padija. Mbi të gjitha, Bruno ka një të metë të madhe: ai thotë të vërtetën. Kjo është arsyeja pse ai përjashtohet e shmanget me bezdi.
Si e dini nga përvoja, as në kulturën tone” Brunot” nuk parapreferohen. Ne nuk flasim për to. Nuk i përmendim. Prej kësaj, mua shpesh Ballsori më duket si një farë “Brunoje”. Më duket si një Bruno trazues i letrave tona, që mund ta shmangim si muzikën e lartë kur mbyllim veshët, që do bëjmë se nuk e dëgjojmë por do i kthehemi letërsisë së tij, të bindur se do na thotë brutalisht të vërtetën.
Prandaj më pëlqen ta shoh botën përmes syve të Ballsorit –a syve të zinj të Borës-. Më pëlqen prej faktit se letrat shqipe kanë edhe një tjetër përfaqësues bashkëkohor letrash që shkruan pa filtra, që me artin e tij multidimensional, letërsinë e tij të guximshme në fjalë dhe ide na bezdis staus quo-në. Më pëlqen prej faktit se ndërton ura stilistike me perëndimin duke çmuar traditën, dhe, mbi të gjitha, për vërtetësinë këmbëngulëse dhe brutale deri në tronditje.
Autorja e këtij shkrimi është PhD në Letërsi Krahasimtare./KultPlus.com