Wilson Kokalari, inxhinieri shqiptar i Apollos që çoi astronautët në hënë

21 Dhjetor, 2020 - 11:10 pm

Wilson Kokalari, inxhinieri shqiptar i Apollo-s do të festonte sot 85-vjetorin e lindjes.

Ai lindi në Gjirokastër më 21 dhjetor 1935 dhe ishte vetëm një vjeç kur familja emigroi në SHBA.

I ati, Hilmi Kokalari ishte biznesmen i shkathët. Qysh në fillim filloi biznes me ullinj dhe djathë me Shqipërinë. Kjo përpjekje për të mos u shkëputur tërësisht nga Shqipëria përpak i kushtoi rëndë Hilmiut që në vitin 1939 u kthye nga Shqipëria vetëm pak ditë përpara pushtimit italian. Me shkëputjen e lidhjeve, ai u përqëndrua në tregtinë e pronave të patundshme.

Djemtë e tij Wilson Kokalari dhe i vëllai, u dashuruan pas inxhinierisë. Wilson shkoi në “Perdue University” ku shkojnë pothuajse të gjithë ata që bëhen astronautë.

Ai qe i përfshirë thellë në punën e jashtëzakonshme teknologjike dhe inxhinierike që përgatiti fluturimet historike të programit Apollo, vijon artikulli.

Kokalari kishte rol kyç aty pasi kishte qenë testuesi i fundit i sistemit si tërësi. Ai e kishte shkruar Raportin e Testit të Projektit Inxhinierik, që ishte shumë i rëndësishëm për procesin. Së pari ishte dashur të testohej i gjithë sistemi, më pas të testohej në mënyrë elektronike për ta simuluar se si do të funksiononte në Hapësirë, pa astronautët brenda anijes kozmike. Ndërkaq, në fund do të testohej i tërë sistemi si dhe anija kozmike me astronautët brenda.

Po të mos kishte pasur sukses në këto teste, nuk do të jepej licenca për të fluturuar. Programi testues ishte mijëra faqe i gjatë, dhe ishte draftuar nga inxhinieri shqiptar gjatë dy vjetëve të një pune të lodhshme.

Astronautët e parë që shkelën në hënë, si shenjë mirënjohjeje për punën e jashtëzakonshme të atyre që e kishin bërë të mundur këtë fluturim historik, morën me vete një pllakë me emrat dhe nënshkrimet e anëtarëve të stafit teknik, përfshirë edhe atë të Wilson Kokalarit.

U nda nga jeta më 24 mars 2014 në moshën 78 vjeçare. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Të ngjajshme