Yjet vazhdojnë të mbledhin fonde për betejën kundër koronavirusit

6 Korrik, 2020 - 6:00 pm

Më shumë se 30 brende të produkteve të bukurisë i janë bashkuar iniciativës për të mbledhur të holla, të cilat do t’iu dhurohen punëtorëve në front të parë në betejë me koronavirusin.

Disa personalitete të famshme të shndërruara në prodhuese të produkteve të bukurisë, kanë vendosur t’i dalin në ndihmë punëtorëve shëndetësorë gjatë kësaj pandemie. Në mesin e tyre edhe, Gwyneth Paltrow, Drew Barrymore dhe Victoria Beckham, të cilat i janë bashkuar fushatës bamirëse “BeautyUnited”, e cila mbledh donacione për fondacionin “Frontline Responders Fund”, transmeton Koha.

Në mesin e kompanive që do të dhurojnë të holla për këtë kauzë janë edhe kompania e aktores Paltrow, “Goop”, ajo e yllit Barrymore, “Flower Beauty”, kompania e këngëtares së shndërruar në disenjatore, “Victoria Beckham Beauty” dhe kompania e supermodeles Rosie Huntington Whiteley, “Rose Inc”.

“Mendoj se mënyra më e mirë për ta tejkaluar frikën që secili nga ne po e përjeton gjatë kësaj kohe, është përmes bamirësisë dhe zemërgjerësisë. Ka shumë njerëz që po i rrezikojnë jetën e tyre për t’u siguruar që ne të kemi mundësi të strehohemi në shtëpi, dhe ata kanë nevojë për ndihmën tonë. Fondacioni ‘Frontline Responders Fund’ i dedikohet mbrojtjes se atyre shpirtrave të guximshëm, duke iu siguruar pajisje të nevojshme në mënyrë që edhe ata të mund të kthehen të sigurt te familjet e tyre,” citohet të ketë thënë Paltrow për “Town & Country”, këtë javë.

Qëllimi i iniciativës “BeautyUnited” është që t’i mbledhë 10 milionë dollarë për organizatën “Frontline Responders Fund”.

Prej fillimit të pandemisë, edhe kompani gjigante të botës së modës të tilla si: “Dior”, “Givenchy” dhe “L’Oreal”, janë angazhuar për të ndihmuar në betejën kundër koronavirusit, duke prodhuar dezinfektues për duar në vend të parfumave në kompanitë e tyre, të cilat më pas janë dhuruar për personelin shëndetësor. /KultPlus.com

Të ngjajshme