YouTube vendos rregulla të reja: Inteligjenca artificiale do të përcaktojë moshën e përdoruesve

13 Gusht, 2025 - 10:16 pm

YouTube po prezanton një sistem të ri verifikimi të moshës të bazuar në inteligjencë artificiale, fillimisht në SHBA, me synimin për të mbrojtur më mirë të rinjtë nga përmbajtjet e papërshtatshme.

Sipas kompanisë, mjeti do të analizojë sjelljen e përdoruesve nga lloji i videove që kërkojnë, kategoritë që shikojnë, deri te jetëgjatësia e llogarisë për të vlerësuar nëse ata janë mbi ose nën 18 vjeç. Nëse sistemi përcakton që një përdorues është i mitur, do të aktivizohen automatikisht masa mbrojtëse, si çaktivizimi i reklamave të personalizuara, kufizimi i rekomandimeve dhe njoftimet për pushime nga ekrani.

Përdoruesit që vlerësohen gabimisht si të mitur do të kenë mundësi të apelojnë, duke përdorur një dokument identifikimi, selfie ose kartë krediti për të konfirmuar moshën. Ata që nuk e bëjnë këtë do të mbeten me cilësimet e kufizuara. Ndryshimi pritet të ndikojë edhe tek krijuesit e përmbajtjes, pasi nëse audienca e tyre kategorizohet kryesisht si e mitur, të ardhurat nga reklamat mund të bien.

Vendimi i YouTube vjen në një kohë presioni të madh politik dhe ligjor në mbarë botën për të rritur sigurinë online për fëmijët dhe adoleshentët. Megjithatë, ky sistem ka ngjallur edhe shqetësime për privatësinë. Aktivistët e të drejtave digjitale paralajmërojnë se metoda e vlerësimit të moshës duke analizuar historikun e shikimeve mund të çojë në mbikëqyrje masive dhe kufizime të panevojshme për përdoruesit e rritur.

Një peticion online ka mbledhur mbi 68 mijë nënshkrime kundër planit, duke paralajmëruar se “kur këto sisteme normalizohen, ato rrallë zhduken dhe mund të përhapen përtej një platforme të vetme, duke rrezikuar lirinë digjitale”./KultPlus.com

Të ngjajshme