1 Gusht, 2025 - 6:30 pm
1 Gusht shënon ditëlindjen e një prej emrave më të rëndësishëm në historinë e modës, Yves Saint Laurent. I lindur më 1 gusht 1936 në Oran të Algjerisë, Saint Laurent do të bëhej një prej stilistëve më ndikues të shekullit XX, duke sfiduar normat dhe transformuar mënyrën si gratë visheshin.
Që në moshë të re, talenti i tij u dallua nga Christian Dior, me të cilin filloi të punonte në Paris. Pas vdekjes së Dior, Saint Laurent mori drejtimin e shtëpisë Dior vetëm 21 vjeç, duke u bërë drejtori më i ri artistik në historinë e modës së lartë.
Në vitin 1961, themeloi markën e tij Yves Saint Laurent (YSL), e cila solli risi të mëdha si kostumi i famshëm për gra “Le Smoking”, fustanet që frymëzoheshin nga arti modern (Mondrian dress), dhe integrimin e elementeve të stilit të rrugës në modën e lartë, një guxim i rrallë për kohën, shkruan KultPlus.
Saint Laurent ishte gjithashtu ndër të parët që përfshiu modele me ngjyrë në pasarelat ndërkombëtare, duke hapur rrugë për më shumë përfaqësim dhe diversitet në industri.
Vdiq në vitin 2008, por trashëgimia e tij mbetet e gjallë jo vetëm në muzeun që mban emrin e tij në Paris, por në çdo sfilatë, dyqan dhe detaj mode që mban firmën YSL.
Sot, bota e modës feston ditëlindjen e një vizionari që bëri historinë./KultPlus.com