4 Shtator, 2025 - 10:42 pm
Në ishullin e qetë të Shurdhahut në liqenin e Vaut të Dejës ku ruhen rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës prej disa ditësh arkeologët po kryejnë kërkime intensive.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën me dije se projekti kërkimor shqiptaro-francez, nën drejtimin e arkeologeve Etleva Nallbani dhe Elvana Metalla, ka si qëllim dokumentimin e strukturave ekleziale që shenjojnë urbanizimin e qytetit mesjetar, duke eksploruar një sektor të ri – qytetin e sipërm.
Gjatë punimeve ka dalë në dritë një rrethim i ri i cili dëshmon se Sarda ka pasur një sistem mbrojtës me tri unaza.
Projekti prej vitesh studion banorët mesjetarë të zonës, praktikat funerare, paleodemografinë, prodhimet dhe shkëmbimet ndërajonale.
Në kuadër të kërkimeve u krye edhe pastrimi i territorit nga vegjetacioni i dendur, shkruan atsh.
Kërkimet arkeologjike zhvillohen në kuadër të projektit: “Lugina e Drinit në Mesjetë”, i cili realizohet nga École française de Rome, Centre National de Recherche Scientifique, Ministère de l’Europe et des affaires étrangères, INRAP, Instituti i Arkeologjisë, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe DRTK Shkodër.