Zbulohet mozaiku i figurës së heroit Agim Ramadani, vendoset në kazermën e FSK’së

14 Dhjetor, 2020 - 12:32 pm

Në dy vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, është zbuluar sot mozaiku i figurës së heroit të kombit, Agim Ramadani, në një ceremoni të veçantë në Regjimentin e forcave tokësore të FSK’së në Gjilan.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ndihet i lumtur që pas një ekspozeu një vjeçar në qendër të qytetit, mozaiku me figurën e Agimit është zhvendosur në kazermën e FSK’së.

“Jam i nderuar që jam sot në shpalosjen e këtij punimi në këtë kazermë elitare. Këtu ndihesh i privilegjuar dhe sigurt për të gjitha pritjet që ne i kemi pasur për shtetin, institucionin  e në veçanti për pjesën ushtarake të Republikës sonë. Agimi ka zbarkuar prej një ekspozeu një vjeçar në qendër të qytetit në kazermë, aty ku e ka vendin dhe ky aty ku figura e tij të rrezatojë çdo ditë si roje e paqes dhe si emër i cili  ushtarit i jep motiv e mesazh që liria është e shtrenjtë dhe për liri shkohet deri në sakrificë”, ka thënë Haziri.

Ai tha se kjo është njëra nga veprat që është punuar fal angazhimit personal të Muhamet Ajrullahut.

“Ne sot të gjallët na mbetet që ta kujtojmë, të gjunjëzohemi dhe ta respektojmë veprën e secilit. Kjo është njëra nga veprat që fal angazhimit personal të Muhamet Ajrullahut dhe punës së artistit. Kjo vepër i vije Gjilanit pas Abdullah Tahirit e para Kadri Zekës i cili që do të vendoset në vitin e ardhshëm”, shtoi Haziri.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, tha se heronjtë tanë janë të pavdekshëm e dëshmon fuqishëm edhe kjo ngjarje.

“Vepra madhështore artistike e zbuluar sot e mozaikut me portretin e vëllait tim të armës dhe idealit, heroit të kombit, Agim Ramadani – Katana, e punuar në mënyrë të veçantë nga kreatori ynë Besart Gashi me mbështetjen e Muhamet Ajrullahut, e konfirmon fuqishëm faktin se dëshmorët janë të pavdekshëm”, tha ministri Quni.

Ndryshe, mozaiku me figurën e Agim Ramadanit është punuar me kapëse metali dhe ka hyrë në librin e rekordeve guinness. / Gazeta express/ KultPlus.com

Të ngjajshme