19 Korrik, 2025 - 10:00 pm
Një zbulim mbresëlënës arkeologjik është bërë përgjatë brigjeve të Turqisë: një anije e mbytur, e cila daton rreth 2 000 vite më parë, është gjetur në thellësitë e Detit Mesdhe, në afërsi të provincës Antalya.
E quajtur “Anija e Qeramikës”, kjo mbetje antike përmban qindra artefakte të ruajtura në gjendje pothuajse perfekte, duke hedhur dritë mbi tregtinë detare në epokën e lashtë.
Sipas Ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, vendndodhja e anijes është rreth 45 metra nën sipërfaqen e detit dhe zbulimi është bërë nga një ekip arkeologësh nënujore.
“Gjetëm qindra pjata, tabaka dhe tasa të ruajtur me ngjyra dhe dizajne origjinale. Është diçka që ndodh shumë rrallë,” u shpreh ministri.
Sekreti i ruajtjes së jashtëzakonshme të objekteve qëndron në mënyrën sesi ato ishin paketuar: të mbuluara me baltë të papërpunuar dhe të vendosura brenda njëra-tjetrës, çka i mbrojti nga dëmtimi gjatë transportit detar dhe gjatë shekujve të qëndrimit nën ujë. Kjo teknikë ka ofruar informacione të vlefshme për mënyrat e prodhimit dhe paketimit të kohës.
Zbulimi është konsideruar si një nga më të rëndësishmit në arkeologjinë nënujore turke, një vend që tashmë numëron mbi 400 anije të mbytura midis Pataras dhe Mersinit.
“Kjo nuk është vetëm një pasuri shkencore, por edhe një mundësi e madhe turistike për vendin tonë. Është një pasuri kulturore me rëndësi globale,” përfundoi ministri Ersoy.
Ky zbulim i jashtëzakonshëm dëshmon edhe një herë rolin kyç që Mesdheu ka pasur në historinë e tregtisë ndërkombëtare dhe hap një dritare të re drejt të kaluarës.