Zbulohet vula e Ipeshkvit të Sapës Pjetër Zaharisë e vitit 1422 në Hvar

8 Gusht, 2022 - 7:15 pm

Në Arkivin e Ipeshkvisë së Hvarit, në Hvar, ruhet vula origjinale e ipeshkvit të Sapës Pjetër Zaharisë. Vula është zbuluar rastësisht, gjatë gërmimit para Katedralës së Hvarit, me rastin e shtruarjes së oborrit me pllaka, më 12 mars të vitit 1988.

Vula është e përbërë nga metali i bakrit. Ka formë ovale dhe dy polet i ka paksa të shtypura. Fomrati i vulës është: 62 x 37 x 2 x 11 mm. Në rrethin anësor, në formë të një shiriti, është i gdhendur, në gjuhën latine, me grafema gotike, teksti:

ºSºPERºDIºZºAPLICE SED
ISºGRAºEPIºSAPIENSIS

që do të mund të lexohej kështu:

S[IGILLIUM] PE[T]R[I] D[E]I Z[ACCARIAE] [ET] AP[OSTO]LIC[A]E SEDIS GRA[TIAE] EPI[SCOPUS] SAPAIENSIS

Përkthimi shqip: Vula e ipeshkvit Pjetër Zaharisë, me Vullnetin e Selisë së Shejtë ipeshkëv i Sapës.
Sfragjistka – sigjilografia është shkenca që studion origjinën, prodhimin, zhvillimin dhe përdorimin e vulave nga ekzemplarët e parë të regjistruar nga kohët e lashta deri në kohët moderne, vlerën e tyre historike dhe juridike, kuptimin artistik, performancën, etj.

Vulat e para të njohura deri me sot u shfaqën në kohët e lashta, rreth vitit 3500 para Krishtit, në zonat e qytetërimeve më të vjetra të Mesopotamisë, Luginës së Indit dhe Egjiptit. Nga ato rajone ato arritën te grekët, dhe më pas te etruskët dhe romakët. Gjermanët morën vulat nga grekët dhe romakët në shekullin e V-të duke ndikuar që ato të përhapeshin në Evropën Perëndimore dhe Qendrore. Në fillim të shekullit të VI-të filluan të vulosen dokumente e shkruara në pergamenë, gjë që përshpejtoi zhvillimin e mëtejshëm të vulave. Nga shekulli i VIII-të, vula u bë një shenjë e përgjithshme e vërtetimit – sigurisë dhe konfirmimit të dokumenteve të të gjithë sundimtarëve të Evropës Perëndimore dhe Qendrore si dhe të perandorëve bizantinë dhe papëve romakë.

Termi vulë ka origjinë nga fjala latine: Sigillum dhe ajo greke: σφραγις /sfragis. Në italisht përdoret termi: sigillografia, etj. Dallojmë disa lloje vulash: vulën e madhe; vulën e vogël; vulën e dyfishtë; vulën e përbashkët, etj. Format e vulave janë gjithashtu të ndryshme. Më së shpeshti janë të rrumbullakëta, por mund të jenë edhe: në formë vezore, në formë dardhe, në formë zemre, në formë kryqi, në formë mburoje, formë katrore, trekëndëshi, etj. Sipas llojit të vulave, ato ndahen në: vula mbishkrimesh; vula arti; vula portretesh; vulat e stemash, etj. Sipas materialit nga i cili janë bërë, ato ndahen në: vula prej metali (ari, argjendi, plumbi) dhe dylli dhe dylli vulosës, etj. Përdromimi dhe pronësia e vulës në mesjetë ishte privilegj i perandorëve, mbretërve, fisnikërisë së lartë (kryesisht vulat e arit) fisnikërisë së mesme dhe asaj të ulët, pastaj e klerikëve, (papës, kardinalve, kryeipeshkëve, ipeshkëve, etj), institucioneve shtetërore mesjetare, esnafeve, univeristetve, gjimnazeve dhe shoqatave me profile të ndryshme, etj.

Në anën e sipërme të vulës është e paraqitur Shën Mëria me një fëmijë në duar, ndërsa në anën e poshtë, është figura e një ipeshkvi të gjunjëzuar [ne mednojmë se mund të jetë figura e ipeshkvit të Sapës, Pjetër Zaharisë, gjë që praktikohej në atë kohë, që në vulë ose stemë, të ishte figura e vetë titullmbajtësit], me mitër në kokë dhe shkop në dorë. Në të dy anët e figurës së ipeshkvit të gjunjëzuar, ndodhen dy stema, në formë mburoje, me unaza në mes, ndërsa lartë, vërehet një yll gjashtë cepësh, në mes të dy zambakëve. Edhe për këtë stemë /emblemë/ mendojmë se duhet të ishte, stema e ipeshkvit të Sapës!
Pjesën qëndrore të vulës, e zën figura e Shën Mhillit me krahë të hapur, i cili është i veshur si kalorës. Në dorën e djathtë, mban një heshtë, me të cilën e godet dragoin – djallin; ndërsa në dorën e majtë, mban një peshore [vagë] e cila simbolizon peshimin e mëkatëve, për shpirtërat të cilët duhet të kalojnë, nëpër Gjykatën e tmeshme, për në botën tjetër të amshuar. Në ilustrimin grafik që kemi bërë, këto detale, vërehen tepër qartë. Ndërsa në fotografit e bëra, kjo gjë nuk është edhe aq e qartë!

Pjetër Zaharia ishte emruar ipeshk i Sapës më: 4 maj 1395. Kishte vdekur më 3 korrik të vitit 1422. Ne e kemi datuar vulën në vitin 1422, duke e mos pasur të dhëna të sakta se kur është bërë kjo vule. Për datim na ka shërbyer një dokument origjinal që ruhet pranë arkivit të katedrales së Hvarit ku është shënuar data 13 prill 1422. Duke qenë se është përdorur fizikisht në këtë datë, kjo vulë nuk mund të jetë e mëvonshme.
Për jetë e Pjetër Zaharisë nuk kemi shumë të dhëna, pos që dimë se ka qenë shumë aktiv në jetën kishtare dhe atë diplomatike. Janë shumë të rëndësishme dokumentet që ruhen në Archivio Segreto Vaticano, në Vatikan, ku hap pas hapi ndjekim veprimtarinë kishtare të Pjetrit si ipeshkëv i Sapës. Ndërsa në shumë dokumenta që ruhen në Arkivat e Venedikut, e hasim si diplomat, në raste të ndryshme, në mardhënjet shqiptaro – venedikase. Janë të njohura disa relata dhe dokumenta me vlerë të jashtëzakonshme, për gjendjen në Shqipërinë Veriore, paraturke, ku në to bëhet fjalë për gjendjen e besimtarëve të krishterë, jo vetëm të ritit perëndimor, por edhe të atij greko-katolik /lindor/, pastaj për gjendjen e rëndë ekonomike si dhe për zhvillimet politke të atyre viteve.

Mendojmë, se në njërin nga udhtimet e fundit që bënte për në Venedik, ai vdiq dhe u varros në Hvar. Së bashku me kufomën e tij, si duket janë varrosur edhe gjërat personale, e ndër to edhe vula, e cila na është ruajtur, në gjendje të shkëlqyer.

Duhet cekur, se disa vite më vonë, ipeshk i Sapës ishte edhe një Pjetër tjetër, i cili emrohet ipeshkëv në Sapë, më: 13 korrik 1425. [Vdes më 6. Mars 1433]. Ky Pjetër, para se të emrohej ipeshkëv i Sapës, ishte abat në abacinë e Shën Sergjit dhe Bahut në grykë-derdhje të Bunës. Nuk ka mundësi që vula e gjetur në Hvar, ti përkiste Pjetrit të dytë, ngase në vetë vulën kemi të gdhendur grafemën “Z” që ne e lexojmë si Zaharia, gjë që është shumë logjike, si dhe siq cekëm më lartë datën në dokumentin origjinal nga katedralja e Hvarit.

Pos vulës së cekur më lartë, në arkivin e Ipeshkvisë së Hvarit, ruehn edhe dokumenta të rëndësishme, për disa nga personalitetet kishtare të kohës nga Kryeipeshkvia e Shkupit. Dokumentat janë të ruajtura mjaft mirë, mirpo nuk janë të sitemuara, të katalogizuara e as të inventarizuara.

Zbulimi dhe botimi i kësaj vule është edhe një shkak më shumë, për hulumtuesit dhe shkencëtarët shqipëtar, që më me përkushtim, të hulumtojnë arkiva dhe biblioteka, në gjithë teritorin e bregdetit të Adrikatikut, ngase ruhen ende dokumenta, dorëshkrime, vula dhe libra të rrallë, të cilët kanë një vlerë të paçmuar për historinë shqiptare në për gjithësi.

Diçiturat për ilustrimet:

Vula-1.jpg – Këllëfi [kallëpi] origjinal i metaltë i vulës së ipeshkvit të Sapës, Pjetër Zaharisë nga viti 1422. Origjinali ruhet në Ipeshkvinë e Hvarit, në Hvar. Dimensionet: 62 x 37 x 2 x 11mm.
Vula-2.jpg –Skica e këllëfit të metaltë të vulës së ipeshkvit të Sapës, Pjetër Zaharisë, 1422.
Vula-3.jpg – Vula origjinale e dyllit të kuq. Origjinali ruhet në Ipeshkvinë e Hvarit, në Hvar.

Në rrethin anësor, në gjuhën latine është i shënuar teksti:

ºSºPERºDIºZºAPLICE SED
ISºGRAºEPIºSAPIENSIS

[Sigillium Petri Dei Zaccariae et Apostolic(a)e Sedis gratia episcopi Sapaiensis], në gjuhën shqipe do të ishte: Vula e ipeshkvit Pjetër Zaharisë, me Vullnetin e Selisë së Shejtë ipeshkëv i Sapës.

Vula-4.jpg – Vula origjinale e dyllit të kuq. Origjinali ruhet në Ipeshkvinë e Hvarit, në Hvar e nxjerrë nga dokumenti që mban datën 13 prill 1422.

Nga Prof. Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest /Dielli/ KultPlus.com

Të ngjajshme